Teknologjia në zgjedhje, KQZ merr pjesë në konferencën rajonale që u zhvillua në Prishtinë.
Zëvëndëskryetari i KQZ-së z. Hysen Osmanaj dhe Anëtari z. Bledar Skënderi, morën pjesë në konferencën me temë, “Teknologjia në Zgjedhje”, që u mbajt në Prishtinë të Kosovës.
Konferenca dy ditore, u organizua nga Komisioni Qendror i Kosovës në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Kosovë, dhe morën pjesë Trupat Zgjedhore të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, dhe Maqedonisë.
Konferenca ofroi një mundësi për Trupat Menaxhuese Zgjedhore të rajonit për të shkëmbyer përvojat e tyre për teknologjinë në zgjedhje, duke përfshirë sistemin elektronik të identifikimit të votuesit, identifikimit biometrik të votuesve, numërimit elektronik të votave dhe transmetimi i drejtëpërdrejtë i rezultateve paraprake.
Zëvëndëskryetari i KQZ-së, z. Hysen Osmanaj prezantoi rastin e Shqipërisë lidhur me “Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje – Transmetimi i rezultateve zgjedhore”, dhe vuri theksin tek transparenca e arritur në zgjedhje përmes transmetimit të drejtëpërdrjetë të rezultateve paraprake, duke sjellë informimin e zgjedhësve në kohë reale dhe në mënyrë korrekte.
Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të vendeve të rajonit u njohën me praktikat më të mira të aplikimit të teknologjisë në zgjedhje, avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, si dhe mundësitë e përdorimit të saj në zgjedhjet e ardhshme.