Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njëkohësisht Presidentja e Shoqatës së Zyrtarëve të Zgjedhjeve Evropianë për vitin 2016, (Association of European Election Officials, ACEEEO-s), zj. Lefterije Luzi, zhvilloi një takim pune me përfaqësues të ACEEEO-s, z. Zsolt Szolnoki, Sekretar i Përgjithshëm dhe z. Istvan Ahiy, Drejtues Programi.
Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me organizimin e konferencës së 25-të vjetore të ACEEEO-s, e cila në këtë vit jubile do të mbahet në Tiranë.
E ftuar në takim ishte edhe Kryetarja e KQZ-së së Kosovës, zj. Valdete Daka, e cila nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me ACEEEO.
Zhvillimi i konferencës vjetore konsiderohet si një ngjarje shumë e rëndësishme për Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të Evropës dhe më gjerë. Mbajtja e Presidencës së ACEEEO-s nga Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi dhe zhvillimi i Konferencës së 25-të Vjetore në Tiranë në muajin Shtator, përbën një moment të rëndësishëm dhe të mirëpritur për procesin e integrimit dhe arritjes së standardeve ndërkombëtare zgjedhore.