Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mirëpriti iniciativën dhe kërkesën e Shkollës internacionale “World Academy of Tirana” (WAT), për të përcjellë njohuri zgjedhore tek një grup nxënësish të klasës së dytë fillore kësaj shkolle. Duke vlerësuar qëllimin për edukimin qytetar të nxënësve, aktualisht me moshë të vogël, por potencialisht zgjedhës apo administratorë zgjedhorë të së nesërmes, administrata e KQZ-së përgatiti për ta një “fletore zgjedhore”, për të përcjellë materialin edukues në koncepte dhe terminologji lehtësisht të kuptueshme nga kjo grup moshë.
Nxënësve ju dha mundësia të ishin pjesë e mbledhjes së KQZ-së, për të parë nga afër si funksionon institucioni që organizon dhe administron zgjedhjet shqiptare.Më pas, në sallën e trajnimeve të KQZ-së u vijua më një sesion prezantues të njërës prej vlerave më të rëndësishme të demokracisë: të drejtës për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, mënyrës se si ushtrohet kjo e drejtë, prezantimit të institucioneve që administrojnë votën e zgjedhësve, punës së tyre, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime.
Njohuritë zgjedhore ngjallën interes të madh tek fëmijët, të cilët adresuan gjatë gjithë kohës pyetje të shumta veçanërisht për procedurat e votimit.
Aktiviteti u përmbyll me një proces votimi të simuluar, ku nxënësit kryen procedurat e votimit, duke zgjedhur në fletën e votimit mes dy alternativave “kapelet” dhe “bluzat”, pasi të gjithë nxënësit mbanin veshur kapele dhe bluza me logon e institucionit.
Duke vlerësuar aktivitetin, interesin e fëmijëve për këtë fushë që konsiderohet “domen” i të rriturve, konceptet që ajo përcolli tek fëmijët, KQZ, synon që ta shtrijë këtë eksperiencë dhe në shkolla të tjera, si një ndër format për edukimin zgjedhor të shtetasve.
Në këtë kuadër, aktiviteti u ndoq dhe nga një përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit, institucion me të cilin KQZ ka patur bashkëpunim të suksesshëm në vite, në kuadër të synimit të përbashkët të dy institucioneve: edukimit dhe sensibilizimit te brezit të ri për procesin zgjedhor.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE