Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Lefterije Luzi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Takimi u zhvillua në ambjentet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe morën pjesë, z. Abdullah Omuri, Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës, z. Emiljano Lule, Kryetar i Institutit të Integrimit të të Verbërve “Visum”, z. Ndreke Ismaili, Sekretar i Këshillit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Kryefjala e takimit ishin zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore që do të mbahen në 21 Qershor dhe bashkërendimi i punës në funksion të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje.
Përfaqësuesit e Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuara, falenderuan Kryetaren e KQZ-së për punën e bërë në zgjedhjet e kaluara, në dobi të personave me aftësi të kufizuara dhe gadishmërinë e treguar për të bashkëpunuar dhe dëgjuar kërkesat e nevojat e tyre për proçesin zgjedhor të vitit 2015.
Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës, z. Omuri shprehu mirënjohjen për premtimin e mbajtur nga KQZ në zgjedhjet e kaluara, për të lehtësuar pjesëmarrjen e para dhe tetraplegjikëve në votime, duke ndërtuar rampa betoni në shumë qendra votimi dhe duke shmangur pritjen në radhë për të votuar të invalidëve. Zoti Omuri i shprehu Kryetares së KQZ-së gadishmërinë e shoqatës që ai drejton, për të asistuar gjatë përgatitjes së procesit zgjedhor me ide dhe projekte, në të mirë të kësaj kategorie personash.
Përfaqësuesi i Institutit të Integrimit të të Verbërve “Visum “, duke vlerësuar përfshirjen e gjuhës së shenjave në materialet edukuese dhe sensibilizuese që KQZ bëri në zgjedhjet për Kuvend, kërkoi gjithashtu që për zgjedhjet e 21 Qershorit, t’u kushtohet vemendje edhe personave të cilët nuk shikojnë.
Nga ana e saj, Zonja Luzi solli në vemendje punën që KQZ ka bërë për përfshirjen e kësaj kategorie të shoqërisë në zgjedhje si dhe i informoi Përfaqësuesit e Shoqatave të PAK se është krijuar një databazë të dhënash për këtë kategori dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të punojë fort për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve të nevojshme që personat më aftësi të kufizuar të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Luzi i siguroi shoqatat e personave me aftësi të kufizuara se do të merren parasysh kërkesat e tyre dhe se bashkëpunimi mes KQZ dhe Shoqatave të PAK është një proces i cili do të vijojë.