KQZ nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Politike për edukimin e votuesve të rinj 2019.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Akademia e Studimeve Politike firmosën sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit për edukimin e të rinjve mbi zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Ky program do të zbatohet për herë të pestë në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR). Fushata do të ketë në fokus mbi 35 mijë maturantë (votues për herë të parë) në shkollat e mesme të vendit, duke synuar informimin e tyre mbi procesin dhe nxitjen për të marrë pjesë në zgjedhje.
Kryetari i KQZ-së, Z. Klement Zguri dhe drejtori i ASP, Z. Erjon Tase theksuan eksperiencën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve, eksperiencë e cila do të ofrohet gjithashtu me synim kapacitimin strategjik të edukimit zgjedhor si dhe akredimin e kurrikulave të trajnimit që ofrohen për trupën zgjedhore. Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe bashkëpunimi për realizimin e aplikacionit për telefonat smartphone për këto zgjedhje, me qëllim informimin e gjerë të publikut mbi procesin si dhe denoncimin e fenomeneve negative gjatë fushatës elektorale.
Programi i edukimit të votuesve për herë të parë mbështetet nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, në kuadër të programit të asistencës parazgjedhore në Shqipëri.