Sot në ambientet e KQZ-së, Kryetarja e KQZ, zj. Lefterije Luzi priti në një takim përfaqësuesin e komunitetit vllah të Shqipërisë në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, z. Kristo Goci.
Përfaqësuesi i komunitetit vllah, z. Goci, i cili është njëkohesisht edhe Kryetari i Shoqatës më të vjetër të Vllehëve të Shqipërisë “Arëmënji di Albanii”, u shpreh mjaft i kënaqur për bashkëpunimin me KQZ, në kuadër të fushatës edukuese dhe sensibilizuese që KQZ ndërmerr për rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore, të datës 21Qershor 2015.
Kjo fushatë edukuese, sensibilizuese dhe informuese, e ndërtuar mbi bazën e një Strategjie të mirëplanifikuar, synon të vijë sa më pranë çdo zgjedhësi shqiptar, duke pasur në vëmendje të veçantë grupe specifike të zgjedhësve, sikundër janë pakicat kombëtare.
Projektet e veçanta që do të realizohen për pakicat kombëtare, përtej detyrimit ligjor, synojnë qasjen e fushatës së KQZ-së edhe me parimet e parashtruara të Konventës Kuadër “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”.
Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave e lirive që u përkasin këtyre pakicave kombëtare, të gjitha materialet promocionale të prodhuara në gjuhët e tyre specifike, do të shpërndahen gjatë takimeve të drejtpërdrejta që KQZ do të organizojë me përfaqësues të këtyre komuniteteve, takime që do të startojnë me komunitetin vllah.