Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më datë 2.12.2014, zhvilloi në Pallatin e Kulturës të qytetit të Peshkopisë, sesionet e trajnimit jashtë periudhës zgjedhore për të gjithë të interesuarit. Temat që trajtuan njohuri të përgjithshme për procesin zgjedhor, ciklin zgjedhor, rolin e medias, si dhe për funksione të veçanta të administrimit të zgjedhjeve: ngritja, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e komisioneve zgjedhore te nivelit të dytë e të tretë (KZAZ, KQV, GNV), etj, u ndoqën me mjaft interes nga nëpunës të administratës vendore, ish-komisionerë etj. Të pranishmit kërkuan informacione të detajuara për rolin dhe detyrat që Kodi Zgjedhor përcakton për njësitë e qeverisjes vendore në kuadër të hartimit, publikimit, shpalljes së listës së zgjedhësve, si dhe për mënyrën e përcaktimit të hartës së zonës së qendrës së votimit.
Veprimtaria e KQZ-së në qytetin e Peshkopisë u përmbyll me zhvillimin e një sesioni edukues në bibliotekën e shkollës së mesme të qytetit “Said Najdeni” me matutantët që në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë për herë të parë. Të rinjtë u informuan për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, jo vetëm si ushtrim i së drejtës themelore kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, por edhe si detyrim qytetar, dokumentet e vlefshme për të votuar, gjetja e emrit në listën e zgjedhësve, dhe procedurat që ndiqe për të korrigjuar pasaktësi eventuale. Simulimi i një dite votimi në qendrën e votimit, ku vetë të rinjtë u angazhuan si “votues” apo “komisionerë”, si dhe procedurat që ndiqen kur voton zgjedhësi me aftësi të kufizuar, i qartësoi në mënyrë praktike të rinjve procedurat korrekte të votimit.