Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi merr pjesë në konferencën rajonale “Money in Politics”
Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi mori pjesë në Konferencën Rajonale “Money in Politics”, që u mbajt në Gjeorgji në datat, 18-19 Shkurt 2016.
Konferenca, u organizua nga OSBE/ODIHR në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (IDEA), Këshillin e Evropës, Zyrën Shtetërore të Auditimit në Gjeorgji (SAOG), Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES) dhe Institutin Holandez për Demokraci Shumëpartiake (NIMD).
Diskutimet e konferencës, u fokusuan në financimin e partive politike, rolin e biznesit në politikë, abuzimi me burimet shtetërore dhe synuan shkëmbimin e eksperiencave të përfaqësuesve politikë, ekspertëve teknikë që punojnë për KQZ-të e vendeve të ndryshme, agjencive anti-korrupsion, ekspertëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Ekspertë të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës, GRECO-s, Komisionit të Venecias, IFES, Transparency International si dhe ekspertë e kryetarë të KQZ-ve të vendeve të ndryshme, trajtuan çështje të rëndësishme si: mënyrat efektive për të rritur transparencën e financimit të partive politike dhe të bëjnë politikanët më të përgjegjshëm, ndikimi i financimit të paligjshëm mbi politikën dhe bërjes së politikave, rritja e zbulimit dhe përdorimit të informacionit të financave politike si një mënyrë për të parandaluar kleptokracinë dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore, ngritja e mekanizmave efektiv të monitorimit financiar për zbatimin e ligjit të financave politike, monitorimi i financave të fushatës dhe roli i vëzhguesve ndërkombëtarë e shoqërisë civile, roli i fondeve publike në ç’rrënjosjen donacioneve të mëdha, e të tjerë.
Kryetarja Luzi në sesionin me temë, “Sfidat për pjesëmarrjen e grave në politikë, rëndësia e parave për të konkuruar në zgjedhje dhe zgjidhjet e mundshme për të ecur përpara”, ndau eksperiencën shqiptare mbi financimin e partive, kontrollin e tyre, rëndësia e mbështetjes së grave me fonde publike gjatë përfshirjes në politikë, rekomandime për të ardhmen.
Përsa i përket pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe rëndësisë së financimit për të konkuruar në zgjedhje, zj. Luzi tha: ”Për të rritur pjesëmarrjen e gruas në organet vendimarrëse legjislacioni shqipëtar ka adoptuar disa masa të vecanta. Ndër këto masa është aplikimi i sistemit të kuotave gjinore. Në Shqipëri sistemi i kuotave gjinore është kriter ligjor i parashikuar përkatësisht në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin për Barazinë Gjinore. Kuotat legjislative gjinore janë parashikuar për herë të parë në vitin 2008, për kandidatët për kuvendin dhe për këshillat vendor. Këto masa të vecanta sollën përmirësim të ndjeshëm në përfaqësimin e grave në organet e zgjedhura. Nga një vështrim i përgjithshëm i legjislacionit shqiptar del qartë se gratë që marrin pjesë në politikë, të cilat kandidojnë për tu zgjedhur, nuk kanë vëmendje ligjore për financim me fonde publike, për të mbështetur përfshirjen dhe veprimtaritë e tyre më aktive në jetën politike të vendit”.
Punimet e konferencës shpalosen dhe vlerësimet e GRECO-s mbi financimin dhe rekomandimet që duhet të mbahen parasysh në të ardhmen.