Tiranë, më 13.04.2013

KQZ zhvillon testin e parë për Sistemin Elektronik të numërimit të votave (SEN)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe firma spanjolle INDRA, kanë zhvilluar testin e parë për Sistemin Elektronik të Numërimit të votave, që do të realizohet në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Fierit.

Testi ishte publik dhe u zhvillua në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet, ku përvec mediave të pranishëm ishin kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, përfaqësues të Këshillit të Europës, Bashkimit Europian, Fondacionit Ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES), Këshilltarja për Politikën në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Jennifer Moore, Institutit Demokratik Amerikan (NDI), përfaqësues të partive politike shqiptare, e të tjerë. Në fjalën e hapjes Kryetarja e KQZ-së , znj. Lefterije Luzi (Lleshi) u shpreh se dita e sotme është e rëndësishme pasi do të testohet teknologjia e cila do të përdoret për herë të parë në zgjedhjet e 23 qershorit në Fier. Ajo më tej shtoi se KQZ është e angazuar që të pregatisë zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë sipas standardeve të kërkuara. Sasia e fletëve të votimit (test) të cilat u numëruan në testin e parë, janë plotësuar nga grup mosha të ndryshme si studentë, zgjedhës që votojnë për herë të parë dhe të moshuar në Fier dhe në Tiranë, për të cilët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve simuloi proces votimi real, në mënyrë që testi i SEN të jetë sa më pranë një numërimi real
Në mbledhjet e ardhshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të diskutohet edhe raporti i testit të Sistemit Elektronik të Numërimit të voatve (SEN) të zhvilluar ditën e sotme.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE