Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve celebroi Ditën Botërore të Zgjedhjeve, e cila mbahet çdo vit të enjten e parë të muajit Shkurt.
Simbolika dhe qëllimi i kësaj dite, sikundër tashmë është bërë traditë, bëri bashkë në ambientet e KQZ-së, gra aktiviste të shoqërisë civile, të rinj rom anëtarë të Institutit të Kulturës Rome në Shqipëri, të rinj me aftësi ndryshe, sudentë të Fakultetit të Gazetarisë, maturantë të shkollave të mesme të kryeqytetit.
Anëtari i KQZ-së, z. Bledar Skënderi në fjalën e tij në çelje të veprimtarive, vuri theksin tek rëndësia e votës së lirë, si mjeti që garanton vazhdimin e veprimtarive që konsolidojnë demokracinë dhe forcojnë shtetin ligjor. “Sot në të gjithë botën demokratike procesi zgjedhor është i mbështetur në legjislacione të artikuluara qartë, që përcaktojnë mekanizmat për organizimin, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor, bazuar në pariminet universale të zgjedhjeve periodike, votës së lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë! Kuadri ligjor siguron një bazë të qëndrueshme për zgjedhje demokratike dhe të drejta. Por, po kaq e rëndësishme eshtë që gjithsecili të shprehë mendimin e tij përmes votës. Nuk ka demokraci pa votë dhe nuk ka demokraci pa votë të lirë!”, – tha z. Skënderi.
Në sesionet e zhvilluara, temat dhe diskutimet e pjesëmarrësve fokusuan tipologjitë e problemeve që dëshmon sjellja zgjedhore e grupimeve të ndryshme shoqërore, rrugët dhe mënyrat për zbehjen e tyre.
Zhvillimi i veprimtarive, konfirmoi përkushtimin institucional dhe shoqëror për angazhim më të madh për të gjetur e shfrytëzuar hapësira të reja për ndërgjegjesimin qytetar për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, si kontributi më i çmuar për demokracinë dhe rrugën europiane të vendit!
KQZ siguroi të pranishmit, për përkushtimin institucional për informimin dhe ndërgjegjësimin e zgjedhësve, si rruga e duhur në përmbushjen e misionit institucional për zhvillimin e proceseve zgjedhore në përputhje me standartet e pranuara ndërkombëtarisht.