Tiranë, më 18.09.2014
Konferenca ndërkombëtare, “Rruga për fuqizimin e gruas në politikë, procesin e paqes dhe integrimin në Bashkimin Evropian”
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Rruga për fuqizimin e gruas në politikë, procesin e paqes dhe integrimin në Bashkimin Evropian”, e cila po mbahet në qytetin e Sarandës.
Konferenca, punimet e së cilës janë hapur sot dhe do të vazhdojnë edhe në datën 19 shtator, është organizuar nga Lobi Rajonal i Grave për paqe, siguri dhe drejtësi në Europën Jug-Lindore (LRG EJL) dhe Zyra e UN Women në Kosovë.
Pjesëmarrës në këtë Konferencë të Nivelit të Lartë janë drejtues të institucioneve të rëndësishme të shteteve të Ballkanit perëndimor, gra të njohura dhe me ndikim në politikë, aktiviste të shoqërisë civile dhe përfaqësues të Bashkimit Europian.
Tematika e diskutimeve të konferencës do të përqëndrohet në forcimin e rolit të gruas në politikën kombëtare e rajonale, përfshirja e tyre në proceset paqësore, integrimit europian dhe përmirësimit të marrëdhënieve mes shteteve fshinjë duke u fokusuar në përfshirjen e grave në axhendën politike në shtetet e ballkanit perëndimor.
Qëllimi i Konferencës është krijimi i një forumi dinamik, interaktiv dhe kreativ të zërave femëror, për angazhimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit rajonal me synim forcimin e rolit të gruas në proceset vendimmarrëse.
Në përfundim të punimeve Konferenca do të dalë me një sërë rekomandimesh të cilat do të publikohen në Deklaratën e përbashkët të pjesëmarrësve në këtë konferencë.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE