Me ftesë të Komisionit Zgjedhor të Republikës Serbisë, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi, anëtarët znj. Vera Shtjefni, z. Hysen Osmanaj, z. Klement Zguri,

si dhe një pjesë e administratës së KQZ-së, vëzhguan procesin e votimit dhe numërimit të votave të datës 16 mars 2014, që u zhvillua për zgjedhjen e deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë dhe zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Beogradit. Fokus të veçantë në këtë vëzhgim kishte përfaqësimi gjinor në listat e kandidimit, në administratën zgjedhore, po ashtu dhe mënyra e përpunimit të të dhënave për evidentim të zgjedhësve femra gjatë transmetimit të të dhënave për pjesëmarrje në votime, si dhe në përfundim të votimit. Ky vëzhgim, u mundësua financiarisht nga UN Women.
Më datë 15 mars 2014, u zhvillua në Selinë e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë (KZR), një takim pune me Zv.Kryetaren e këtij Komisioni, znj. Tamara Stojcevic dhe Shefin e Zyrës për Akreditim të Vëzhguesve, z. Alesandar Djordevic, si dhe u kryen procedurat e akreditimit si vëzhgues në qendrat e votimit gjatë ditës së votimit.
Znj. Tamara Stojcevic duke i uruar mirëseradhjen Kryetares dhe anëtarëve së KQZ-së, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të trupës së institucionit homolog, si dhe prezantoi kuadrin ligjor zgjedhor serb, po ashtu dhe punën e KZR-së së Serbisë për organizimin, administrimin dhe zhvillimin e këtij procesi.
Nga ana e saj, Kryetarja Luzi, falenderoi për pritjen, prezantimin e ecurisë së procesit zgjedhor në Serbi të datës 16 Mars 2014, si dhe informoi për kuadrin ligjor zgjedhor shqiptar, mënyrën e organizimit dhe administrimit nga KQZ të proceseve zgjedhore në Shqipëri, me fokus specifikat e procesit të 23 qershorit 2013, proces i cili, sikundër Kryetarja Luzi i theksoi të pranishmëve, meritoi vlerësimin maksimal nga OSBE/ODHIR.
Takimi i cili vijoi në formën e një bashkëbisedimi mes të pranishmëve, u fokusua në çështje me interes të ndërsjellë në punën e dy institucioneve, si mënyra e ngritjes të administratës zgjedhore, komponentit gjinor si në kandidim, administratë zgjedhore, po ashtu dhe pjesëmarrjen në votime.Në përfundim, të pranishmit ndanë mendimin se shkëmbimi i eksperiencave, në periudhë zgjedhore dhe përtej saj, është shumë i rëndësishëm dhe me interes të ndërsjellë për të dy institucionet homologe që organizojnë dhe administrojnë zgjedhjet në dy vende të rajonit, me karakteristika dhe sfida të përafërta. Në këtë kuadër, Znj. Tamara Stojcevic, adresoi ftesën për pjesëmarrje në takimin e trupave rajonale të administrimit zgjedhor, iniciativë e Komisionit Zgjedhor të Serbisë, dhe planifikuar për tu zhvilluar në shtator të këtij viti.
Procesi i votimit dhe numërimit të votave, i vëzhguar nga afër në një sërë qendrash votimi të qytetit të Beogradit, evidentoi mundësinë për përmirësime të disa prej procedurave të këtyre aspekteve të procesit zgjedhor, me impakt në eficencën e punës së komisioneve të nivelit të tretë.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE