“Forcimi i besueshmërisë dhe pranimi i proceseve zgjedhore: Roli i aktorëve zgjedhorë dhe administrata zgjedhore”.

Seminari “Forcimi i besueshmërisë dhe pranimi i proceseve zgjedhore: Roli i aktorëve zgjedhorë dhe administrata zgjedhore”.

Sesioni i paradites i ditës së 4-ët të punimeve të Seminarit “Forcimi i besueshmërisë dhe pranimi i proceseve zgjedhore: Roli i aktorëve zgjedhorë dhe administrata zgjedhore” trajtoi temën “Aktorët zgjedhorë në veprim: të ndajmë mësimet e mësuara”, me fokus disa nga momentet kyçe të procesit zgjedhor si: pranimi i rezultateve zgjedhore; bashkëpunimi i aktorëve zgjedhorë; dhe integrimi i barazisë gjinore në procesin zgjedhor, puna dhe kontributi i aktorëve zgjedhorë në këtë drejtim.
Kryetarja Luzi, e cila moderoi panelin gjatë trajtimit të çështjes për integrimin e barazisë gjinore në procesin zgjedhor, ndau për të pranishmit eksperiencën shqiptare në këtë fushë, arritjet falë plotësimit të kuadrit ligjor shqiptar për çështjet gjinore, plotësimeve dhe përmirësimeve të ligjit zgjedhor në këtë drejtim, me impakt të drejtpërdrejtë të përfaqësimit gjinor në organet e zgjedhura si dhe administratë zgjedhore. Kryetarja Luzi, në fjalën e saj vuri theksin dhe në sfidat e së ardhmes, kapërcimi i të cilave, theksoi Ajo, kërkon bashkëpunimin dhe kontributin e të gjithë aktorëve të përfshirë në proces.
Garantimi i integrimit të barazisë gjinore në programet e asistencës së organizmave ndërkombëtarë, kontributi i tyre për trupat e menaxhimit të zgjedhjeve në këtë drejtim, ishin temë e diskutimeve të referuesve të këtij paneli, znj. Errebbah Khadija, përfaqësuese e shoqatës të grave Demokratike të Marokut, z.Mamosebi Pholo, përfaqësues i Komisionit të Pavarur Zgjedhor të Lesotho, dhe znj. Julie Ballington, përfaqësuese e UN Women.
Paneli u mbyll me diskutime të pjesëmarrësve, të cilët ndanë eksperiencat kombëtare, si dhe adresuan prioritet dhe nevojat për punën e tyre në të ardhmen.
Në sesionin e pasdites u trajtua tema “Perspektivat rajonale, sfida dhe mundësi për bashkëpunim rajonal”. Tre organizata rajonale që operojnë në këtë fushë në kontinente të ndryshme të globit, prezantuan strategjitë e tyre për të ardhmen. ACEEEO (The Association of European Election Officials), prezantoi strategjitë e saj duke u ndalur në tre drejtime: Strategjitë e reja të ACEEEO, bashkëpunimi në kuadër të organizmave rajonale anëtare të kësaj shoqate si AEOBIH – një organizëm i zyrtarëve të trupave zgjedhore me qendër në Bosnjë Hercegovinë dhe lidhjet nëpërmjet A-WEB; si dhe projektet e reja në kuadër të strategjive. Projektet e reja të ACEEEO-s që synojnë trajnimin e zyrtarëve zgjedhor, procesin e përgatitjes së listave të sakta të zgjedhësve, edukimin e votuesve dhe pjesëmarrjen e të rinjve në votime, ishin disa nga temat që trajtoi kryetarja Lleshi në prezantimin e saj.
Këto projekte –theksoi zj. Luzi – do të sjellin një vlerë të shtuar në punën e trupave të menaxhimit të zgjedhjeve në rajon, përfshi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE