Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të kompetencës të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, organizon për shtetasit e interesuar kurse trajnimi për administrim zgjedhor.
Kush mund të marrë pjesë?
Çdo shtetas shqiptar i cili gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës dhe shfaq interesin duke aplikuar përmes plotësimit dhe dërgimit të formularit si më poshtë. Plotësimi i formularit fillon me përzgjedhjen e modulit/moduleve që keni interes duke shënjuar kuadratin përkatës.
Ju mund të zgjidhni:
– një ose më shumë kurse trajnimi; nivelin e dytë të administrimit zgjedhor (KZAZ), nivelin e tretë të administrimit zgjedhor (KQV), të numërimit të votave (GNV).
– një ose më shumë module brenda kursit përkatës.
Pasi keni përzgjedhur kursin/modulet vijoni me të dhënat tuaja. Tregoni kujdes të plotësoni saktë të gjitha rubrikat, dhe në përfundim shtypni butonin “DERGO”. Ju do të merrni konfirmim që aplikimi juaj u administrua në KQZ. Të dhënat do të përpunohen në përputhje me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar. Ato do të përdoren për të krijuar rregjistrin e personave të trajnuar dhe çertifikuar për administrim zgjedhor.
Kur dhe ku do të organizohen kurset e trajnimit?
KQZ do të organizojë kurse trajnimi në çdo Qark/Bashki/Njësi Administrative, sipas interesit të shfaqur nga shtetasit më vendbanim në to. Për të interesuarit me vendbanim në Bashkinë Tiranë kurset do të organizohen në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve/Salla e Trajnimeve.
Kalendari i trajnimeve do të hartohet në varësi të aplikimeve, dhe do të publikohet në faqen zyrtare të KQZ www.cec.org.al Kalendari i trajnimeve do të përmbajë datën, qytetin, vendin dhe orën, kursin/et dhe modulin/et e trajnimit.
Pjesëmarrja në kurset e trajnimit zgjedhor të organizuar nga KQZ është pa pagesë.
Në përfundim të kursit të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikatë.