Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon sesione trajnimi dhe edukimi zgjedhor në Qarkun Fier

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vijim të veprimtarive për edukimin zgjedhor të shtetasve organizoi sesione në qarkun e Fierit me te rinj të shkollave të mesme, gra aktiviste të shoqërisë civile dhe komunitetin rom në Levan, Zharrës dhe Baltëz.

Në sesionet e organizuara në shkollat e mesme, maturantët të cilët në zgjedhjet vendore 2019 do të jenë votues për herë të parë, u njohën me garancitë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë, dokumentet e vlefshme të identifikimit për votim, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar për demokracinë dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua veprave penale që cënojnë votën e lirë, duke vënë theksin tek cënimi i fshehtësisë së votës përmes fotografimit dhe shfaqjes në rrjete sociale. Të rinjtë u njohën më konkretisht me procedurat e votimit përmes simulimit të procesit të votimit.

Në sesionet e zhvilluara në tre vendqëndrimet e komunitetit rom, u bashkëbisedua me anëtarët e komunitetit për të informuar, sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar për fenomenin negativ të tjetërsimit të vullnetit të tyre, kryesisht përmes shit-blerjes së votës. Të rinjtë rom, pjesëmarrës në takime,  u shprehën të gatshëm për të kontribuar për ndëgjegjësimin e komunitetit për pasojat individuale dhe shoqërore që sjellin veprimet që cënojnë votën e lirë, duke informuar dhe sensibilizuar anëtarët e komunitetit, si dhe për tu angazhuar në realizimin e programeve edukuese dhe trajnuese që KQZ do të realizojë në vijimësi.