KQZ vijon me sesionet e edukimit dhe trajnimit në Qarkun e Kukësit
Aktivitete me votuesit për herë të parë dhe Administratën e Bashkive Kukës e Tropojë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar sesioni edukimi/trajnimi në Qarkun e Kukësit më votues për herë të parë dhe punonjës të administratës së organeve të qeverisjes vendore.
Në ditën e parë, me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale Kukës, KQZ u takua me nxënësit e shkollës së mesme “Havzi Nela”, Kukës dhe me nxënësit e shkollës së mesme në Bicaj, të cilët në zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2019 do të jenë votues për herë të parë.
Sesioni i edukimit me temë ““Vota dhe vlera e saj në demokraci” u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe të rinjtë u informuan mbi aspektet e përgjithshme të procesit zgjedhor, ku vemëndje e veccantë iu kushtua veprave penale që cënojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Simulimi i procesit të votimit i njohur të rinjtë me procedurat korrekte të votimit.
Gjithashtu, KQZ zhvilloi takim në Bashkinë e Kukësit, ku të ishin nënkryetari i bashkisë, z. Dileman Nela dhe drejtues të administratës, të cilët pjesë të kompetencave të tyre kanë edhe detyrat që Kodi Zgjedhor ju ngarkon në funksion të administrimit të procesit zgjedhor. Hartimi i listave të zgjedhësve, përgatitja e infrastrukturës për ngritjen e qendrave të votimit, si edhe krijimi i kushteve infratrukturore për personat me aftësi të kufizuara ishin disa nga tematikat e trajtuara gjatë takimit.
Në ditën e dytë KQZ i vijoi sesionet e edukimit me maturantët të tre shkollave të mesme të rrethit të Tropojës, shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Bajram Curri shkolla e mesme e Fierzës dhe Tropojës së Vjetër. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Zyrës Arsimore Rajonale të Tropojës dhe të rinjtë u sensibilizuan për rëndësinë që ka vota e lirë, e fshehtë dhe e pandikuar në zhvillimin e proceseve demokratike për të ardhmen e vendit.
Ndërkohë, sesion trajnimi u zhvillua edhe me Administratën e Bashkisë së Tropojës ku e pranishme ishte edhe nënkryetarja e bashkisë, znj. Feride Rrahmanaj. Në fokus të takimit ishin detyrat që Kodi Zgjedhor i ngarkon organeve të qerverisjes vendore në funksion të përgatitjes dhe administrimit të procesit zgjedhor.