Në Konferencën e 23-të vjetore dhe Takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Zyrtarëve Zgjedhore Europianë (ACEEEO)

Në Konferencën e 23-të Vjetore dhe Takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Zyrtarëve Zgjedhore Europianë (ACEEEO), e cila zhvilloi punimet në datat 4-6 Shtator në Bukuresht të Rumanisë, mori pjesë në cilësinë e anëtarit edhe delegacioni i KQZ-së i kryesuar nga Kryetarja, Zj. Lefterije Luzi.

Konferenca, e organizuar nga Sekretariati i Shoqatës në bashkëpunim me Autoritetin e Përhershëm Zgjedhor të Rumanisë, trajtoi në aspektin teorik dhe praktik dy nga aspektet me të rëndësishme të punës së organeve të administrimit zgjedhor: “Pjesëmarrjen e grave në procesin zgjedhor dhe në jetën publike”, si dhe “Planifikimin e zgjedhjeve të përgjithshme”.

Zyrtarë të lartë zgjedhorë të trupave të administrimit zgjedhor të vendeve të ndryshme të botës si dhe eksperte zgjedhorë, referuan për të dy temat e trajtuara, praktika të sukseshme zgjedhore si dhe sfida për të ardhmen. Në panelin dedikuar pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe jetën publike, Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi referoi rastin shqiptar të pjesëmarrjes së gruas në zgjedhje.

E përzgjedhur nga organizatorët e konferencës për të ndarë përvojën shqiptare, përfaqësuesja e delegacionit të KQZ-së, vuri në pah angazhimin në rritje të grave në jetën publike si dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset zgjedhore, arritjet dhe sfidat që kanë shoqëruar këtë proces gjatë dekadave të fundit. Në fjalën e saj Kryetarja Luzi evidentoi arritjet që solli ligji për barazinë gjinore si dhe përfshirjen e kuotave në kodin zgjedhor, kuadër ligjor i cili dyfishoi përfaqësimin e grave në organet e zgjedhura, si dhe analizoi sjelljen e aktorëve të ndryshëm ndaj këtyre ndryshimeve.

Duke evidentur rritjen e përfaqësimit të grave në organet e zgjedhura, Ajo theksoi se krahas arritjeve, pjesëmarrja e gruas në procesin zgjedhor, në pozita të barabarta me burrat, si kandidate, komisionere, votuese, dhe e zgjedhur, bart ende sfida për gjithë shoqërinë shqiptare, partitë politike dhe ligjvënësit shqiptarë, por edhe për KQZ-në.
Në këtë kuadër, u prezantua për pjesëmarrësit angazhimi i KQZ-së për trajtimin së bashku me të gjithë aktorët e fushës, përfshirë dhe përfaqësuesit e partive politike, i dobësive të dëshmuara të sistemit, të cilat zbehin përfaqësimin e grave në çdo etapë të procesit zgjedhor, si dhe gjetjet për përmirësimeve të mundshme të Kodit Zgjedhor, implementimi i të cilave garanton përfaqësimin e grave barazisht me burrat jo vetëm si kandidate, por dhe si e zgjedhur në organet legjislative dhe ato të qeverisjes vendore.

Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se e drejta e për të votuar e grave duhet të sigurohet pa asnjë lloj diskriminimi dhe trupat e menaxhimit të zgjedhjeve luajnë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Gjithashtu u ra dakord se këto sfida nuk mund të përballen pa një bashkëpunim të fuqishëm ndërmjet organeve ligjvënëse, trupave të menaxhimit të zgjedhjeve, partive politike dhe aktorëve të tjerë.

Gjatë punimeve të Konferencës, delegacioni i KQZ-së zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të trupave zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare me ekspertizë në fushën e zgjedhjeve. Shkëmbimi i eksperiencës, njohja me praktika të sukseshme menaxhimi të procesit zgjedhor, risi të teknologjive të informacionit të aplikuara me sukses në procese zgjedhore, ishin temat e këtyre takimeve.

Për të lexuar fjalën e plotë të Kryetares së KQZ-së, kliko ne linkun e mëposhtëm:

Fjala e plotë e Kryetares së KQZ-së

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE