Tiranë, më 10.06.2013

Anëtarët e KQZ-së takojnë Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE)
Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) dhe Anëtarët, z. Klement Zguri, z. Hysen Osmanaj dhe znj. Vera Shtjefni kanë pritur në një takim Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

Delegacioni përbëhej nga z. Luca Volonte (Itali, EPP/CD), z. Mogens Jensen (Danimarkë, SOC), z. Jan Liddel-Grainger (Mbretëria e Bashkuar e Anglisë, EDG), znj. Alina Stefania Gorghiu (Rumani, ALDE), z. Petros Tatasopoulos (Greqi, UEL), z. Jonathan Evans (Mbretëria e Bashkuar e Anglisë- Raportues) dhe z. Grigore Petrenco (Moldavi, Raportues).
Kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve u ka uruar anëtarëve të Delegacionit mirëseardhjen dhe i ka njohur ata me vendimmarrjen e KQZ për përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qeshorit. Interesit të z. Luca Volonte lidhur me mungesën e tre anëtarëve në KQZ, Kryetarja e Komisionit u shpreh se Kodi Zgjedhor është produkt i politikës ndaj edhe zgjidhja e kësaj situate duhet të vijë nga politika.
Ndërkohë z. Hysen osmanaj ka shtuar se duke qenë se Kodi Zgjedhor është produkt i forcave politike, këto të fundit gëzojnë shumë të drejta të cilat i’a kanë caktuar vetes. Osmanaj tha se pa vullnetin e partive politike KQZ nuk mund të arrijë standardet e kërkuara. Pyetjes së z. Grigore Petrenco, mbi vendimin 503 të KQZ të komentuar në media, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shpreh se vendimi është marrë në përputhje me Kodin Zgjedhor, konkretisht nenit 84 të Kodit Zgjedhor. Ndërsa znj. Vera Shtjefni tha se ky vendim nuk I detyron mediat që të transmetojnë materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore por as nuk përjashton përdorimin e materialeve zgjedhore nga mediat të cilat nuk kanë kapacitete për të mbuluar aktivitetet e fushatës zgjedhore.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka falenderuar Kryetaren dhe Anëtarët e KQZ-së për mikëpritjen dhe njohjen me vendimet e marra nga KQZ për përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE