Sot, u zhvillua programi i dytë i trajnimit me trajnuesit e KZAZ-ve. Trajnimi u zhvillua në mbështetje të Strategjisë së Trajnimit të miratuar nga KQZ, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të 21 qershorit.
Në këtë trajnim, u trajnuan 52 trajnues dhe 24 inspektorë të Zyrave Rajonale Zgjedhore.
Qëllimi i trajnimit ishte ngritja e kapaciteteve të trajnuesve të KZAZ-ve, të cilët do të trajnojnë anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor (90 KZAZ-ve).
Programi i dytë i trajnimit me anëtarët e KZAZ-ve u zhvillua për t’iu ardhur në ndihmë anëtarëve të KZAZ-ve në veprimtarinë e tyre për administrimin e procesit në zonën e administrimit zgjedhor nga përgatitja e Vendit të Numërimit të Votave deri në dorëzimin e materialeve zgjedhore në KQZ, tematikë e cila është miratuar në strategjinë së trajnimit të komisionerëve zgjedhorë.
Trajnimi u zhvillua jo vetëm në formë bashkëbisedimi, por edhe me veprime praktike, me qëllim që trajnuesit dhe inspektorët të adaptoheshin me të gjitha mjetet e punës, si Manuali dhe Fletorja e Punës së KZAZ, pjesa e dytë dhe të përvetësojnë sa më mirë të gjitha procedurat ligjore në VNV. Pjesëmarrësit përdorën modelet e vendimeve dhe dokumentet e punës me të cilat do të punojnë anëtarët e KZAZ-ve, të cilat janë në përmbajtjen e Fletores së Punës.
Njohja, kuptimi dhe përvetësimi i procedurave të parashikuara në Manualin e KZAZ-së, do të ndikojë në:
– ngritjen e nivelit profesional e administrues të anëtarëve të KZAZ-ve;
– zgjidhjen me profesionalizëm, paanshmëri, efektivitet nga ana e komisionerëve të KZAZ-ve të të gjitha problematikave të krijuara gjatë ushtrimit të detyrës;
– mirëadministrimin e procesit zgjedhor në VNV dhe zbatimin ligjor të detyrave të tyre funksionale, në përputhje me parimet dhe rregullat e vendosura në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe në aktet nënligjore të nxjerra nga KQZ, për arritjen e standardeve.
Aktiviteti u mbështet nga Prezenca e OSBE-së dhe KiE-së.