Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi, me ftesë të UNDP-së, po merr pjesë në seminarin pesë ditor me temë “Forcimi i besueshmërisë dhe pranimi i proceseve zgjedhore: Roli i aktorëve zgjedhorë dhe administrata zgjedhore” , i cili po zhvillon punimet në datat 7 deri më 11 Prill 2014, në Detin e Vdekur, Jordani.
Ky seminar, organizohet nën patronazhin e Madhërisë së Tij Mbretit të Jordanisë Abdullah II Ibn Al Hussein, Komisioniit Europian (KE) dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Zgjedhjeve të Jordanisë. Puna e suksesshme e trupave zgjedhore për planifikimin dhe implementimin e proceseve zgjedhore, është çelësi i suksesit për procese elektorale gjerësisht të pranuara.
Në këtë kuadër, aktiviteti synon që nëpërmjet krahasimit të përvojave në përmbushjen e përgjegjësive dhe realizimin e transparencës në proceset zgjedhore, të sigurojë dhe shpërndajë për organet që administrojnë dhe menaxhojnë zgjedhjet dhe për aktorët me rol kyç në proceset zgjedhore, një informacion për praktikat më të suksesshme zgjedhore.
250 pjesëmarrësit në këtë seminar, janë drejtues të trupave të administrimit zgjedhor të vendeve partnere, parlamentarë, përfaqësues të Delegacionit të BE-së, përfaqësues të UNDP, përfaqësues të agjencive ndërkombëtare donatorë, organizatave të shoqërive civile, organizatave aktive me ekspertizë në fushën e zgjedhjeve dhe të vëzhgimit të tyre.
Në ditën 5-të të punimeve Kryetarja e KQZ-së, mbi bazën e kërkesës së ACEEEO (The Association of European Election Officials), do të prezantojë projektet në kuadër të strategjive të reja të kësaj organizate. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, si anëtar i kësaj organizate, ka përfituar dhe do të përfitojë nga ekspertiza dhe asistenca e këtij mekanizmi ndërkombëtar në arritjen e standarteve zgjedhore.
Gjithashtu, referuar axhendës shumë të ngjeshur dhe gjithë përfshirëse të seminarit, Kryetarja Luzi, do të moderojë në ditën e 4-ët të punimeve panelin me temë “Integrimi i barazisë gjinore në proceset zgjedhore: puna e grupeve të interesit në këtë drejtim”. Përfundimet e Seminarit, dhe rekomandimet e pjesëmarrësve, në frymën e politikave të OKB-së dhe BE-së në këtë fushë, do të publikohen për të shërbyer jo vetëm si udhëzime për vendimmarrësit kombëtarë zgjedhorë, por gjithashtu synohet të jenë baza për nxitjen e debatit të ardhshëm ndërkombëtar për çështje zgjedhore.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE