Informacion për organizimin e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Dibër.

Partitë politike respektojnë afatin ligjor, dorëzojnë në KZAZ nr. 19 propozimet për anëtarëve të KQV-ve.

Ditën e hënë, datë 22 gusht, ka përfunduar afati për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit pranë KZAZ-së nr. 19 në Dibër, për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Dibër, të datës 11.09.2016.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bën me dije se në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së në fuqi, pranë KZAZ-së nr. 19, Dibër, kanë paraqitur të gjithë propozimet e tyre për anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit që do të ngrihen për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Dibër, Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane.

Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor (KZAZ nr.19) po përpunon dokumentacionin përkatës, për të verifikuar përmbushjen e kritereve ligjore për propozimet për anëtarë të KQV-ve.

Mënjëherë pas emërimit të tyre KQZ do të trajnojë të gjithë komisionerët e Qendrave të Votimit, mbi aspekte të ndryshme të Kodit Zgjedhor dhe procesit zgjedhor në tërësi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po punon intensivisht për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor për kryetar të Bashkisë Dibër, dhe ditën e mërkurë, datë 24 gusht, në mbledhjen e radhës do të shqyrtojë projektvendimin për caktimin e Vendit të Numërimit të Votave të KZAZ-së nr. 19, si dhe do të hedhë shortin për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit.

Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, www.cec.org.al në rubrikën “Zgjedhje”, nënrubrikën “Zgjedhje të pjesshme”, do të gjeni të gjithë informacionin zyrtar për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në datën 11 shtator 2016 në Bashkinë Dibër.