Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vijim të veprimtarive për edukimin zgjedhor të të rinjve, zhvilloi sesione edukimi me studentë të Universitetit “Eqerem Çabej” dhe me nxënës të Shkollave të Mesme të Bashkisë Gjirokastër.

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhe të Fakultetit Ekonomik, ndoqën leksionin e hapur që mbajti për ta Zv. Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba.

Znj. Valbona Duro, Zv. Rektore e Universitetit “Eqerem Çabej”, duke theksuar rëndesinë e informimit dhe ndergjegjesimit te brezit te ri per cështjet zgjedhore, falenderoi KQZ–në për organizimin në vijimësi të veprimtarive për trajnimin dhe edukimin zgjedhor të studentëve të Universitetit “Eqerem Çabej”.

Duke shprehur kënaqësinë që ndodhej mes studentëve, Zv.Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba, theksoi nevojën për forcimin e vetëdijes qytetare për rëndësinë e zgjedhjeve demokratike, proceseve më të rëndësishme vendimmarëse, përmes të cilave qytetarët përcaktojnë fatet dhe të ardhmen e vendit.

Gjatë leksionit, i cili u zhvillua në formë bashkëbisedimi, studentët  shhaqën interes dhe u qartësuan për aspekte të ndryshme të administrimit të zgjedhjeve në vendin tonë.

Falë bashkëpunimit me Drejtorinë Rajonale Arsimore Gjirokastër, u realizuan sesione për edukimin zgjedhor të maturantëve të shkollave të mesme, të cilët në zgjedhjet vendore 2019 do të jenë votues për herë të parë.

Të rinjtë u njohën me garancitë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë, dokumentet e vlefshme të identifikimit për votim, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar për demokracinë dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Simulimi i procesit të votimit ku të rinjtë maturantë  u angazhuan si komisionerë, votues dhe vëzhgues, ndihmoi për qartësimin praktik të mënyrës së kryerjes së procedurave nga zgjedhësit, të drejtat dhe detyrimet, po ashtu  dhe nga  komisionerët zgjedhorë në Qendrën e Votimit.