Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 29, pika 5, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, Udhëzimit të KQZ-së nr. 4, datë 19.02.2013 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës së krijuar në KZAZ dhe KQV”, shpall kërkesën për shprehje interesi nga shtetas për t’u emëruar kryesisht nga KQZ anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) që do të ngrihen për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019.
Kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët:

1. të gëzojnë të drejtën për të qenë zgjedhës;
2. të kenë arsim të lartë, për pozicionin e sekretarit të jenë jurist;
3. të jenë me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse (Bashkisë ku do të ngrihet KZAZ-ja në të cilën shtetasi/shtetasja ka interes për t’u emëruar);
4. të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
5. të mos kenë marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme (në rast se kanë qenë komisionerë zgjedhorë);
6. të mos jenë deputetë ose kandidatë për deputë në Kuvend;
7. të mos jenë kryetarë të bashkive;
8. të mos jenë ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror;
9. të mos jenë të propozuar nga parti politike për të qenë anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së për zgjedhjet e datës 30.06.2019;
10. të mos kenë qenë të zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.

Aplikimi:
Brenda datës 28.03.2019, të interesuarit duhet të paraqesin në KQZ (Zyra e Protokollit), adresa Rruga “Ibrahim Rugova” nr. 4, dokumentacionin si më poshtë:

1. Kërkesë për shprehje interesi për t’u emëruar kryesisht nga KQZ si anëtar apo sekretar i Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor përkatës, ku të përcaktohet numri telefonik i kontaktit;
2. Çertifikatë personale;
3. Kopje të noteruar të diplomës;
4. Kopje të noteruar të librezës së punës, ose deklaratë e nënshkruar kur nuk ka patur marrëdhënie të mëparshme pune;
5. Deklaratë e nënshkruar për plotësimin e kriterit të përcaktuar në pikën 10.

Shtetasi/shtetasja i emëruar kryesisht nga KQZ, në rast se lind nevoja për plotësim të vakancës në KZAZ, gëzon të drejtën e shpërblimit në përputhje me vendimin e KQZ-së për caktimin e masës së shpërblimit të komisionerëve zgjedhorë.

Të dhëna për Zonat e Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019, i gjeni këtu.