Fjala e Kryetarit te KQZ-së në “Trajnimi i trajnerëve, raportimi financiar nga kandidatët për kryetarë të njësive të qeverisjes vendore për fushatën zgjedhore 2019”
Së pari, mirëseerdhët të dashur pjesëmarrës!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht ndodhet në kulmin e përgatitjeve për procesin zgjedhor dhe ndonjeri mund të mendojë se takime si ky, seminare apo trainime, na largojnë nga fokusi, na shpërqendrojnë, apo na harxhojnë kohën. E kundërta është e vërteta. Takime si ky janë kusht që punët e zgjedhjeve të ecin mirë, që procesi të mirëmenaxhohet, që gara të jetë e drejtë dhe standardi i zgjedhjeve të rritet e përmirësohet.
Prandaj unë dua që në fillim t’ju përgëzoj ju për pjesëmarrjen dhe përkushtimin, si dhe të falenderoj Institutin Demokratik Amerikan dhe Ambasadën Britanike në Tiranë, që na ndihmojnë dhe asistojnë në organizimin e aktiviteteve të tilla.
Financimi i partive politike është çështje e ndjeshmërisë më të lartë dhe tani që jemi në prag të fushatës zgjedhore, do të ketë vemendje të shtuar, ndaj dhe ne duhet të punojmë akoma më shumë.
Transparenca e financimit të partive është kusht për zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë, ndërkohë që mungesa e saj është ftesë për disbalancimin e fushatës, për orientimin e aktorëve drejt taktikave elektorale të paligjshme, drejt shitblerjes së votës, drejt prishjes së administrimit zgjedhor, drejt manipulimit të rezultateve.
Mungesa e transparencës për financat dhe shpenzimet e partive politike nënkupton korrupsion në financim. Dhe korrupsioni në financimin e partive politike është një një nga çeshtjet me kritike në demokracitë e sotme.
Abuzimi në financim është kapje e partive politike, e udhëheqjeve të tyre e si rrjedhojë e qeverisjes së nesërme.
Për ta reduktuar këtë fenomen, është i rëndësishëm kontrolli dhe monitorimi para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës zgjedhore.
Natyrisht, vullneti politik është tepër i rëndësishëm për transparencën, por partitë politike në vendin tonë vijojnë të jenë të mbyllura për publikun dhe hermetike për transparencën dhe llogaridhënien publike.
I vetmi informacion për publikun është ai që mundëson Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në këto kushte duhet që shoqëria civile dhe media në rolin e auditit social të mos rrinë indiferente në monitorimin e financimit politik.
Ndryshimet ligjore të vitit 2017 kanë sjellë përmirësim të transparencës së financave të partive politike, por jo transparencë të plotë.
KQZ ka punuar intensivisht me ekspertët më të mirë ndërkombëtar, për studimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, metodologjisë së duhur për tu përshtatur dhe aplikuar në vendin tonë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arriti, pas një punë intensive me ekspertët e NDI dhe Këshillit të Europës, të plotësojë paketën ligjore të financimit duke miratuar tre akte të rëndësishme nënligjore.
- Një “Për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore”;
- Një “Për miratimin e formateve të standartizuara të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik, për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore;
- dhe një “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.
Të tre aktet, me të cilat ju do të njiheni sot në mënyrë të detajuar, i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencën financiare të fushatave. Si të tilla, ato marrin rëndësi të veçantë, sepse përfaqësojnë një copë të mirëfilltë reforme, në një kohë kur politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizhmëria.
Në këtë proces zgjedhor, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim.
Ndaj trajnimi i sotëm është një vlerë e shtuar e kësaj pune madhore që është bërë në këtë drejtim.
Detyra që ju keni marrë përsipër është shumë e rëndësishme, pasi jeni ju ata që do të trajnoni kandidatët dhe financierët e partive politike lidhur me kuadrin ligjor të financimit dhe me mënyrën e duhur të raportimit financiar.
Nga puna juaj, kandidatët për kryetar bashkie do të kuptojnë më mirë detyrimet ligjore për raportimin financiar dhe do të rrisin kapacitetet e tyre për të siguruar një zbatim efektiv të akteve të KQZ-së dhe të kërkesave të raportimit bazuar në modelet e reja të miratuara nga Komisioni.
Unë jam i bindur, se këto zgjedhje do shënojnë përmirësim në fushën e transparencës financiare, sepse besoj shumë tek përkushtimi juaj, tek kuadri i ri ligjor, monitorimi si instrument dhe tek vetëdijësimi i aktorëve.
Po e mbyll, duke ju uruar juve trajnim të mbarë dhe duke falenderuar edhe një herë zonjën Kadoviç, zonjën Klein dhe ambasadën britanike për kontributin dhe mbështetjen!