Tryeza Teknike “Financimi i Partive Politike & Fushatave Zgjedhore”

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi Tryezën Teknike të Nivelit të Lartë “Financimi i Partive Politike dhe Fushatave Zgjedhore”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig,

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Ilirjan Celibashi, Zëvëndëskryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë, z. Oerd Bylykbashi, Shefi i Projektit të Këshillit të Europës për Vlerësimin e Kuadrit Antikorrupsion në Shqipëri, z. Quentin Reed, përfaqësuesi i Misionit të OSBE/ODIHR, z. Marcin Walecki.
Pjesë e tryezës teknike ishin edhe përfaqësues të partive politike parlamentare shqiptare, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë zgjedhorë.
Tryeza trajtoi mundësitë për përmirësimin e regjimit të kontrollit të financimit të Partive Politike dhe Fushatave Zgjedhore dhe sfidat e këtij procesi të rëndësishëm. Tematika e diskutimeve u fokusua në:
– Ushtrimin e autoritetit publik për kontrollin e financimit të partive politike, nevoja për përmirësime
– Kufijtë e përceptimit të transparencës së financimit të partive politike nga vetë politika
– Pasqyrimi i përmirësimeve të legjislacionit zgjedhor në monitorimin e fushatave zgjedhore të partive politike,
– Mbikqyrja e financave të partive politike si pjesë e strategjisë kombëtare në luftën kundër korrupsionit, e të tjerë.
Në fjalën e saj Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Luzi duke vlerësuar rëndësinë e kësaj tryeze, theksoi se “Transparenca është armik i korrupsionit dhe mik i llogaridhënies. është shumë e vështirë të fshehësh korrupsionin dhe praktikat e gabuara në rast se publiku ka dijeni. Praktika ka deshmuar se konsolidimi i proceseve aspak te lehta, sikunder eshte edhe kontrolli i financave te partive politike, padyshim kerkon dhe do te marre kohe, dhe kjo Tryeze eshte nje perpjekje qe ne bashkepunim me te gjithe aktoret dhe faktoret e perfshire ne kete proces, te mund te ndikojme pozitivisht”.
Më tej Kryetarja Luzi pasi paraqiti një tablo të plotë për kuadrin ligjor rregullator, u ndal në momente konkrete që kanë rezultuar nga zbatimi i tij në praktikë gjatë viteve 2009-2013, periudhë e cila përkon me auditimin e tre fushatave zgjedhore dhe financave vjetore të partive politike për dy vite kalendarike.
Faktet dhe shifrat konkrete të referuara, theksoi ajo, janë tregues i drejtëpërdrejtë i problematikave të funksionimit të këtij mekanizmi kontrolli, cili për të rritur efektivitetin e tij, kërkon domosdoshmërisht forcimin e rolit të KQZ-së, si autoriteti i vetëm publik për ushtrimin e kësaj përgjegjësie si dhe mundësimin e kapaciteve të nevojshme.
Në fund të fjalës së saj në mënyrë të përmbledhur Kryetarja e KQZ-së paraqiti tipologjitë e problemeve kryesore të cilat duhet, me anagazhimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, të gjejnë zgjidhje më optimale, kjo sa i përket përmirësimeve të mundshme ligjore, marrjes së masave organizative dhe forcimit të bashkëpunimit.
Axhenda e tryezës kishte fokusuar momentet kyçe të këtij procesi, të cilat u zgjedhuan më shumë nga diskutimet e të pranishmëve. Pjesëmarrësit, duke ndarë mendimin se trajtimi i kësaj çështje është shumë i rëndësishëm si element kyç në luftën kundër korrupsionit, bënë propozime konkrete për përmirësime në të ardhmen.

Fjala e Kryetares së KQZ-së në tryezën teknike, “Financimi i Partive Politike dhe Fuashatave Zgjedhore”

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE