Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së në fuqi, shpall kërkesën për shtetasit që kanë interes për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, që do të ngrihen për zgjedhjet për Kuvend të datës 18.06.2017.

Kjo ftesë publike që iu bëhet qytetarëve për të kontribuar në administrimin e procesit zgjedhor është detyrim që Kodi Zgjedhor ia ngarkon KQZ për çdo proces zgjedhor dhe nuk ka asnjë lidhje me përmbushjen e detyrimeve përkatëse ligjore nga ana e partive politike.

Përsa iu përket këtyre të fundit, KQZ bën me dije se nga 4 partitë politike që kanë të drejtën për të propozuar anëtarë të KZAZ-ve, kanë sjellë propozimet brenda afatit ligjor, 5 mars 2017, vetëm Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim.

Shtetasit e interesuar për t’u emëruar kryesisht nga KQZ si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së, në bazë të nenit 29, 30, 31 të Kodit Zgjedhor, Udhëzimit të KQZ-së nr.4, datë 19.02.2013 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës së krijuar në KZAZ dhe KQV”, duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret si më poshtë:

1. të gëzojnë të drejtën për të qenë zgjedhës;
2. të kenë arsim të lartë, për pozicionin e sekretarit të jenë juristë;
3. të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
4. të mos kenë marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme (në rast se kanë qenë komisionerë zgjedhorë);
5. të mos jenë deputetë ose kandidatë për deputë në Kuvend;
6. të mos jenë kryetarë të bashkive;
7. të mos jenë ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror;
8. të mos jenë të propozuar nga parti politike për të qenë anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së;
9. të mos jenë të zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike.

Shtetasit që plotësojnë këto kushte dhe kritere, ftohen të paraqesin pranë KQZ-së ose pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore të KQZ-së brenda datës 18.03.2017, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesë për shprehje interesi për t’u emëruar kryesisht nga KQZ si anëtar apo sekretar i Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor përkatës;
b) Çertifikatë personale;
c) Kopje të noterizuar të diplomës;
d) Kopje të noterizuar të librezës së punës, ose deklaratë e nënshkruar kur nuk ka patur marrëdhënie të mëparshme pune;
e) Vetëdeklaratë e nënshkruar për plotësimin e kriterit të përcaktuar në pikën 9.

Të interesuarit duhet të kenë parasysh se aplikimi i tyre është i vlefshëm vetëm për KZAZ-të që administrojnë procesin në territorin e qarkut ku ata kanë vendbanimin e tyre.

Çdo shtetas i emëruar kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës në KZAZ:

– gëzon të njëjtat të drejta dhe ka të njëjtat detyrime si çdo anëtar dhe sekretar i propozuar nga partitë politike, sipas parashikimeve në Kodin Zgjedhor dhe akteve nënligjore të KQZ-së.

– gëzon të drejtën e shpërblimit në përputhje me përcaktimet e Vendimit të KQZ-së nr.6, datë 12.01.2017.

Adresat e Zyrave Rajonale Zgjedhore të KQZ-së dhe të dhëna për Zonat e Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend të datës 18.06.2017, i gjeni në faqen zyrtare të internetit të KQZ www.cec.org.al.