KQZ-NDI, tryezë teknike për financimin e partive politike.

Komisioni Qendror u Zgjedhjeve me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI),  Ambasadës Britanike në Tiranë dhe USAID, organizoi një tryezë teknike me Komisionerët dhe Administratën e KQZ-së, duke u fokusuar në rolin që KQZ duhet të luajë si rregullator i financimit të partive politike në Shqipëri.
Kjo tryezë teknike u zhvillua në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që NDI ka dhënë për KQZ-në, me synim forcimin e kapaciteteve dhe ngritjen e strukturës përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e raporteve të auditimit të financave të partive politike përmes hartimit të një kuadri rregullator, procedural dhe metodologjik.
Përgjatë dy ditëve, ekspertët e NDI prezantuan praktikat më të mira ndërkombëtare (USA, UK, Francë e tjerë), duke bërë krahasimin e tyre me rastin shqiptar lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e rregullatorit të financimit të partive politike.
Përmes diskutimeve u trajtuan problematikat e evidentuara në zgjedhjet e fundit parlamentare përsa i përket monitorimit të fushatës zgjedhore, auditimit dhe raportimit të financave të partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe vitit kalendarik.
Gjithashtu, Komisionerët dhe Administrata e KQZ-së adresuan boshllëqet dhe dobësitë legjislative, si edhe shkëmbyen ide se si mund të përmirësohet kuadri ligjor, për të bërë të mundur transparencë sa më të plotë të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.
Gjetjet dhe konkluzionet e tryezës do të materializohen në një paketë rekomandimesh për financimin e partive politike.