Delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kryesuar nga Kryetarja, znj. Lefterije Luzi dhe Anëtarët, z. Hysen Osmanaj dhe z. Klement Zguri, me ftesë të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, po merr pjesë në workshop-in me temë “Menaxhimi dhe Mbikëqyrja e Zgjedhjeve”, që po mbahet në Ankara të Turqisë.
Pjesëmarrës në këtë workshop, që zhvillohet nga data 19 deri në 21 nëntor 2014, janë edhe zyrtarë zgjedhor nga Trupat e menaxhimit të zgjedhjeve të vendeve si, Azerbajxhani, Sudan, Bosnjë-Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova dhe Maqedonia.
Qëllimi i këtij workshop-i është diskutimi dhe shkëmbimi i eksperiencave lidhur me legjislacionin zgjedhor të vendeve pjesëmarrëse si dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Sot, në ditën e parë të hapjes së workshop-it, Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi bëri dy prezantime. Prezantimi i parë lidhej me përvojën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, mbi administrimin e zgjedhjeve dhe zgjidhjet e mosmarrëveshjeve zgjedhore (ankimimet zgjedhore), ndërsa prezantimi i dytë, lidhej me mbikqyrjen dhe kontrollin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike në fushatat zgjedhore.
Gjithashtu, në ditën e dytë të workshop-it, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Znj. Luzi do të bëjë një prezantim mbi temën “E drejta e zgjedhjes, krijimi, mbikqyrja dhe konfirmimi i listës së votuesve”.