“Fushata e Edukimit të Zgjedhësve”, në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21.

Në kuadër të Strategjisë së Edukimit Zgjedhor të shtetasve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar “Fushata e Edukimit të Zgjedhësve”, që do të përdoret në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21 Qershor. Fushata e edukimit përfshin projekte të veçanta dhe specifike si postera, fletë-palosje, sloganin dhe logon e zgjedhjeve të 21 Qershorit, spoteve audio-vizive, materialeve promocionale si bluza, kapele, e të tjerë, përmes të cilave, KQZ do të të përcjellë tek çdo votues mesazhe informuese, sensibilizuese dhe edukuese.

Me synimin që materialet të jenë sa më bashkëkohore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar bashkëpunimin e studentëve të universiteteve në vendin tonë. Ftesës së KQZ-së për ide të reja dhe bashkëpunim, i’u përgjigjen studentët e Universitetit “Polis”, të cilët kanë realizuar grafikisht posterat, logon, sloganin, fletë-palosjet e të tjerë. Gjatë prezantimit të Fushatës së Edukimit të Zgjedhësve ishin prezentë edhe studentët e Univeristetit “Polis”.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zonja Lefterije Luzi, vuri theksin në faktin se studentët kanë dhënë kontribut vullnetar për fushatën e edukimit të zgjedhësve.

Duke e konsideruar kontributin e studentëve, si një formë të edukimit zgjedhor për të rinjtë, Kryetarja e KQZ-së, znj. Luzi siguroi se bashkëpunimi i KQZ me shkollat, universitetet dhe të rinjtë do të vijojë edhe në të ardhmen me projekte të tjera.

Kryetarja dhe Anëtarët e KQZ-së, shpërndanë “Çertifikata Mirënjohje”, për studentët që realizuan grafikisht projektin e fushatës së Edukimit Zgjedhor,
përmes të cilit synon të përcjellë tek çdo votues mesazhe informuese dhe sensibilizuese për zgjedhjet e datës 21 Qershor 2015.