Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore nga Presidenti i Republikës, ka intensifikuar punën e nisur prej kohësh për përgatitjen e procesit zgjedhor të datës 21 qershor 2015.

Pavarësisht angazhimit maksimal të KQZ për përmbushjen e përgjegjësive të veta ligjore, suksesi i përgatitjeve për procesin zgjedhor të 2015, ndërvaret dhe nga përmbushja në kohë dhe sipas kërkesave të ligjit e detyrimeve nga ana e institucioneve të cilat Kodi Zgjedhor i ngarkon me detyra konkrete.

KQZ me këtë komunikim të parë publik me nisjen e periudhës zgjedhore, kërkon rritjen e frymës së bashkëpunimit, përgjegjshmërisë dhe korektësisë nga të gjithë aktorët dhe faktorët që luajnë rol në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sa më sipër, në pikënisje të kësaj periudhe zgjedhore, sjellim në vëmendje të insticioneve qëndrore, ministrive, organeve të qeverisjes vendore, bashkive dhe institucioneve të prefektëve në të gjithë vendin, zbatimin e detyrimit ligjor për caktimin e nëpunësve ndërlidhës përgjegjës për shkëmbimin e informacionit me KQZ-në, për veprimtaritë që kanë lidhje me administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike.

Në rast mos zbatimi të këtij detyrimi ligjor, sipas kërkesave dhe brenda afatit të përcaktuar në nenin 4 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja do të konsiderojë se titullari i institucionit përkatës, ka marrë përsipër këtë funksion, kjo në kuptim të përcaktimeve të dispozitës sipërcituar.

Si gjithmonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në respekt të mirëinformimit publik për procesin zgjedhor, do të komunikojë në vijimësi, për përgatitjen, administrimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, në funksion të transparencës së veprimtarisë së tij.