Sot, u organizua seminari me temë “Forcimi i Pavarësisë së Organeve të Menaxhimit Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”, faza II-të e projektit të organizuar nga Qendra për Perspektivë Evropiane (CEP) dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Qëllimi i seminarit ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, duke analizuar modele të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve dhe ndikimet e tyre mbi pavarësinë e Organeve të Menaxhimit Zgjedhor.

Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë zj. Lea Stančič dhe Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi në fjalën e tyre të hapjes vunë theksin tek rëndësia e këtij projekti, veccanërisht i fazës së dytë, që përkon me fillimin e reformës zgjedhore në Shqipëri.
Bashkëkryetari i Komisionit të Parlamentar për Reformën Zgjedhore, z. Oerd Bylykbashi, përfaqësues të partive politike parlamentare, ekspertë të zgjedhjeve, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që kanë monitoruar dhe raportuar për proceset zgjedhore dhe shoqërisë civile, përmes diskutimeve dhanë ide dhe propozime për gjetjen e mekanizmave për forcimin e pavarësisë së administratës zgjedhore dhe vunë theksin tek edukuimi dhe trajnimi i komisionerëve zgjedhorë si mënyra më efikase për ushtrimin e detyrës në zbatim korrekt të ligjit, larg ndikimeve politike.

Konkluzionet e seminarit do t’i shërbejnë KQZ për t’i ofruar Komisionit të Reformës Zgjedhore, ekspertizën teknike jo vetëm, si rezultat i eksperiencës institucionale, por edhe atë cka u përfitua nga eksperiencat më të mira të ndara përgjatë këtij seminari, përfshirë idetë e shoqërisë civile dhe ekspertëve të huaj zgjedhorë.