Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi, në cilësinë e Presidentes së ACEEEO-s, po merr pjesë në “Forumin Ndërkombëtar mbi Zgjedhjet”, dhe në programin “Election Visitor 2016” për zgjedhjet parlamentare që mbahen më datë 13 prill , në Seul të Koresë së Jugut.

Forumi Ndërkombëtar mbi Zgjedhjet (SIFE), i cili organizohet nga Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Republikës së Koresë (NEC) dhe Shoqata Botërore e Trupave Zgjedhor (A-WEB), është konferenca më prestigjioze ndërkombëtare ku diskutohen çështje që lidhen me sistemet zgjedhore dhe demokracinë. Nw kwtw forum marrin pjesë Trupa të Menaxhimit Zgjedhorë nga e gjithë bota, ekspertë zgjedhorë, organizata ndërkombëtare e të tjerë.
Axhenda e forumit do të fokusojë çështje lidhur me teknologjinë dhe informacionin në zgjedhje, rolin e qytetarëve në zhvillimin e demokracisë dhe mënyrat për të promovuar pjesëmarrjen e grave në politikë.
Të pranishmit do të ndajnë praktikat më të mira në zhvillimin e demokracisë në zgjedhje, me qëllim shkëmbimin dhe bashkëpunimin e ekspertëve zgjedhorë në të gjithë botën.
Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi në cilësinë e Presidentes së ACEEEO-s u prit në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i A-WEB, z. Yong-Hi-Kim, ku diskutuan në lidhje me bashkëpunimin e dy organizatave të njohura në fushën e zgjedhjeve, ACEEEO dhe A-WEB.
Znj. Luzi, e cila njëkohësisht është edhe Anëtare e Bordit Ekzekutiv të A-WEB, ndër të tjera diskutoi edhe mbi mundësitë e përfshirjes së KQZ-së së Shqipërisë në programet trajnuese që organizohen nga A-WEB.
A-WEB konsiderohet si një nga organizatat më të mëdha në fushën e zgjedhjeve që nga themelimi i saj, dhe punon me përkushtim për rritjen e integritetit zgjedhor me anë të programeve të trajnimit, seminareve e programeve të vëzhgimit të zgjedhjeve, e të tjerë.