Veprimtaria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për trajnime jashtë periudhës zgjedhore dhe program edukimi për të rinjtë, vijoi sot në qytetin e Beratit ku e pranishme ishte edhe Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi.

Në sesionin e parë për trajnim të përgjithshëm morën pjesë nnpunës të administratës vendore, ish-komisionerë, trajnerë të proceseve të shkuara zgjedhore, përfaqësues të OJF-ve që meren me çeshtjet e zgjedhjeve, përfaqësues të mediave.

Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi duke ju uruar të pranishmëve mireseardhjen bëri një pasqyrim të punës së KQZ-së për menaxhimin e zgjedhjeve si dhe prezantoi përpjekjet dhe masat e marra nga KQZ për të përballuar me sukses çdo sfidë që proceset pararendëse kanë dëshmuar sikundër ishte sigurimi i kushteve për të votuar të personave me aftësi të kufizuara.

Bashkëbisedimi mes Zonjës Luzi dhe të pranishmëve, fokusoi ndër të tjera çeshtjet e përfaqësimit gjinor, si në kandidim ashtu edhe në administratën zgjedhore. Pjesëmarësit ndanë mendimin se prezenca e gruas në organet e zgjedhura dhe në ato të emëruara, duhet të jetë më përfaqësuese duke evidentuar mendimin e tyre se, Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë mekanizmat e duhur ligjor për të siguruar pjesëmmarrjen e grave edhe mbi 30%.

Kryetarja e KQZ-së i informoi të pranishmit me konkluzionet e tryezës teknike të organizuar nga KQZ për trajtimin e kësaj çeshtje si dhe i ftoi të pranishmit për tu njohur me materialin rekomandues që Komisioni i dërgoi Kuvendit, të publikuar në faqen zyrtare.

Një tjetër çeshtje me interes që u diskutua ishte nevoja për përmirësim të platformës së trajnimit të komisionerëve, si kusht për të rritur profesionalizmin e tyre.

Kalendari i veprimtarisë vazhdoi me zhvillimin e dy takimeve, njëri me votues për herë të parë dhe tjetri me studentë të qytetit, disa prej të cilëve kishin eksperienca si komisionerë dhe vëzhgues.

Kryetarja e KQZ-së, duke i bërë thirrje të rinjve për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës, theksoi se ”Vota, nuk është vetëm e drejtë por edhe detyrë qytetare”.

Zonja Luzi i’u përgjigj interesit të të rinjve, pyetjet e të cilëve adresuan çeshtje si; hartimi i listave të zgjedhësve, procedurat e votimit dhe numërimit të votave, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, dhe sigurinë që jep administrata zgjedhore për leximin e drejtë të votës së tyre.

Të rinjtë e qytetit të Beratit i premtuan Kryetares së KQZ-së se do të bëhen pjesë e projekteve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të realizojë në të ardhmen.