Vizitë studimore e delegacionit të KQZ-së së Shqipërisë në Qendrën e Trajnimit të Vazhduar për Çështjet Zgjedhore dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Moldavisë.

Kryesuar nga Kryetarja znj. Luzi, një delegacion i KQZ-së, në përbërje të së cilit ishin dhe përfaqësues të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zhvilluan në datat 8-10 Shtator 2014 një vizitë studimore në Qendrën e Trajnimit të Vazhduar për Çështjet Zgjedhore të Moldavisë (CICDE).

Rritja e eficencës së procesit të trajnimit për çdo etapë të procesit zgjedhor, jo vetëm për komisionerët zgjedhorë, por edhe për të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në proces, është një nga drejtimet kryesore të punës në vijimësi të KQZ. Në vlerësim të eksperiencës së administruar, komplekse dhe plot sfida në këtë drejtim, KQZ po synon përmirësimin e platformës së trajnimit zgjedhor, duke përfituar nga eksperiencat e sukseshme të vendeve me karakteristika të përafërta.

Pas prezantimit të përvojës së modeleve të trajnimit zgjedhor të Gjeorgjisë dhe Moldavisë, në tryezën teknike të organizuar nga KQZ, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së dhe Këshillit të Europës “Praktikat më të mira dhe platformat e trajnimit të komisionerëve zgjedhorë”, si dhe gjetjet e mundshme të këtyre përvojave për aplikim në rastin shqiptar, Prezenca e OSBE-së mundësoi vizitën studimore të delegacionit shqiptar në Qendrën e Trajnimit të Vazhduar për Çështjet Zgjedhore në Moldavi.

Drejtoresha e Qendrës së Trajnimit të Vazhduar për Çështjet Zgjedhore të Moldavisë, zj. Natalia Iuras, bashkë me stafin, informoi delegacioni shqiptar për mënyrën e funksionimit të Qendrës, arritjet, sfidat e përballura për zbehjen e skepticizmit të dëshmuar nga faktorë të ndryshëm, mënyrën “kaskadë” të organizimit të platformës së trajnimit, numrin e të trajnuarve/çertifikuarve nga Qendra, bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë nga institucionet vendase, qendrore dhe vendore, po ashtu dhe organizatat ndërkombëtare.

Takimi i cili u zhvillua si një bashkëbisedim mes dy delegacioneve, qartësoi mënyrat dhe format më të mira për organizimin e trajnimit të vazhduar zgjedhor, me synim rritjen e efiçencës së tij si dhe të numrit të përftuesve. Gjithashtu delegacioni shqiptar ndoqi nga afër një sesion trajnimi të komisionerëve zgjedhorë, ku u njoh nga afër dhe vlerësoi metodologjinë e përdorur, interaktivitetin e trajnimit, materialet trajnuese të përdorura si video, prezantime, etj.

Në vlerësim të faktit se administrata zgjedhore në Moldavi ndërtohet mbi bazën e propozimit të partive politike, ashtu sikundër në Shqipëri, pjesë e rëndësishme e axhendës së vizitës ishte takimi me përfaqësuesit e partive të shumicës dhe opozitës parlamentare të Moldavisë, për të dëgjuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mendimin e tyre për organizimin e trajnimeve nëpërmjet një qendre trajnimi zgjedhor të vazhduar.

Gjatë këtyre takimeve, të gjithë përfaqësuesit e partive politike shprehën vlerësimin për cilësinë, paanësinë dhe profesionalizmin e trajnimeve të organizuara nga qendra, faktorë të cilët kishin shërbyer për rritjen e besimit të faktorit politik ndaj kësaj mënyre të organizmit të trajnimeve, si dhe pohuan përfitimin që partitë politike kanë nga organizmi i trajnimeve sipas kësaj praktike, jo vetëm për burimet njerëzore të angazhuara si komisionerët zgjedhorë, por edhe për ata të angazhuar si vëzhgues.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar u prit në takim dhe nga Kryetari i KQZ-së së Moldavisë, Dr. Iurie Ciocan, i cili prezantoi punën dhe sfidat e institucionit homolog për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare të 30 Nëntorit, e në këtë kuadër të rolit të madh që luan Qendra e Trajnimit të Vazhduar Zgjedhor, jo vetëm për rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore, por edhe trajnimin e trupës gjyqësore që shqyrton ankimet zgjedhore, trajnimin e mediave që pasqyrojnë procesin zgjedhor në respekt të mirë informit publik.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE