Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi takon përfaqësues të komunitetit romë.

Sot, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi zhvilloi një takim më të rinj të komunitetit romë. Takimi u zhvillua në ambientet e Institutit të Kulturës Rome në Shqipëri, në kuadër të takimeve të drejtëpërdrejta që Kryetarja e KQZ-së, po zhvillon me pakicat kombëtare në zbatim të Strategjisë së Edukimit Zgjedhor, për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015.

Qëllimi i takimit ishte informimi i zgjedhësve të këtij grupimi për rëndësinë e votimit, vlerën e votës, për çfarë votohet, kush gëzon të drejtën për të votuar, data, oraret e votimit dhe procedurat e votimit, dokumentacioni i nevojshëm që duhet të paraqitet për të votuar, ndikimit në ushtrimin e të drejtës së votimit e të tjerë.

Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi i’u bëri apel të rinjve romë që të marrin pjesë në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e votës, në mënyrë individuale, të pandikuar dhe të fshehtë.

Zonja Luzi tha se, KQZ po punon fort për të percjellë tek të gjithë zgjedhësit informacionin e nevojshëm për procesin zgjedhor, si gur themeli i demokracisë, dhe në këtë kontekst të krijojë dhe të forcojë kulturën e ushtrimit të së drejtës së votës, si e drejtë dhe detyrë qytetare.

Fokusi kryesor i KQZ-së në strategjinë e edukimit zgjedhor, është qasja sa më pranë e target-grupeve, të cilat për vetë specifikat e trye kanë nevojë për më shumë informacion dhe sensibilizim, sikundër është edhe komuniteti rom.

Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe zj. Luzi i siguroi përfaqësuesit e komunitetit romë, se KQZ do të bashkërendojë aktivitetet me Institutin e Kulturës Rome, me qëllim realizimin e takimeve edukuese e informuese për procesin e zgjedhjeve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në votime. Të rinjtë romë u angazhuan vullnetarisht për të bërë shpërndarjen e materialeve informuese dhe sensibilizuese që KQZ ka prodhuar në gjuhën e tyre në të gjitha qytetet ku kanë vendbanimet ky komunitet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim të ngushtë me OJF-të e ndryshme që operojnë në mbrojtje të të drejtave të romëve, synon të sensibilizojë votuesitpër të vlerësuar votën si vullnet dhe vendim individual, si dhe për të vlerësuar procesin e votimit në tërësi, si i lidhur ngushtë dhe përcaktues për jetën e tij në të ardhmen.