Sot, në ambjentet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u prezantua përmbyllja e projektit, “Përshtatja për zgjedhjet vendore e moduleve të zhvilluara për zgjedhjet parlamentare” në kuadër të plotësimit të Sistemit të Integruar të Administrimit të Informacionit Zgjedhor (IEMIS).

Në prezantimin e projektit ishin të pranishëm Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Përfaqësues të USAID, Assist Impact, OSBE si dhe administrata e KQZ-së.

Ky projekt është financuar nga USAID, asistuar nga Assist Impact (nënkontraktuar nga USAID) dhe zbatuar nga konsulentët e kompanisë maqedonase iVote në bashkëpunim me KQZ-në.

KQZ në bashkëpunim me konsulentët kanë bërë analizën e plotë të kërkesave specifike që kanë zgjedhjet vendore për gjithë modulet që do të përditësohen dhe mbi bazën e analizës janë hartuar specifikimet teknike në një dokument që është firmosur nga përfaqësues të KQZ-së, donatorit dhe kompanisë së pajtuar për realizimin e projektit.

Janë zhvilluar dhe përshtatur 7 module, të cilat janë instaluar në serverin e KQZ-së, që do të shërbejnë edhe për transmetimin dhe përpunimin e të dhënave gjatë zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Projekti sjell risi në teknlogjinë e përdorur duke dhënë mundësi për përdorim më të lehtë dhe siguri më të madhe të sistemit. Gjithashtu projekti reflekton ekzistencën e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara dhe njësitë e reja vendore sipas ligjit për ndarjen territoriale.
Ky projekt ka filluar në muajin prill të këtij viti dhe përfundoi ditët e fundit me testimin përfundimtar dhe trajnimin e administratës së KQZ-së.

Postuar tek: Deklaratat për shtyp