Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar të bashkisë së Dibrës, që do të zhvillohet më datë 11.09.2016, po punon intensivisht dhe ka bërë të gjitha për përgatitjen e duhura për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore në të gjithë komponentët e saj, në këtë njësi të qeverisjes vendore.
Në kuadër të mirëorganizimit dhe mirëadministrimit të procesit zgjedhor, KQZ po monitoron dhe po ndjek procesin jo vetëm nëpërmjet inspektorëve të KQZ-së në Zonën e Administrimit Zgjedhor nr. 19, Dibër, por edhe nëpërmjet grupeve të punës të ngritura në funksion të komunikimit të vazhdueshëm me të gjithë sekretarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit. Ky komunikim do të bëjë të mundur marrjen e informacionit duke filluar nga hapja e Qendrave të Votimit, pjesëmarrja e zgjedhësve në votim, dhe të gjithë dinamikën e procesit deri në dërgimin e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore në Vendin e Numërit të Votave.