Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme referoi informacionin mbi projektin pilot për transmetimin e informacionit ditën e votimit, direkt nga Qendrat e Votimit në KQZ, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21.06.2015.  
Në marrëveshjen e projektit “Forcimi i procesit zgjedhor në Shqipëri”, nënshkruar midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), veç të tjerash është planifikuar dhe realizimi i një projekti pilot për transmetimin e informacionit ditën e votimit direkt nga qendrat e votimit në KQZ.
KQZ me Vendimin Nr.13, datë 27.01.2015 “Për miratimin e procedurave për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit ditën e votimit në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2015”, ka përcaktuar që informacioni do të dërgohet nga KQV në KZAZ me mesazh zanor (me telefon celular) dhe më pas nga KZAZ do të bëhet elektronikisht nëpërmjet rrjetit që lidh VNV-të me serverin e KQZ-së.
Projekti i sipër përmendur, do të pilotojë realizimin e këtij funksioni direkt nga KQV në serverin e KQZ-së nëpërmjet shërbimit të internetit. Për këtë po pregatitet aplikacioni përkatës që do të instalohet në një paisje elektronike (tablet). Duke qënë se projekti nuk mbulon financiarisht paisjen elektronike, është rënë dakord që këto pajisje KQZ-së do t’ia japë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, për përdorim të përkohshëm. Synohet që ky proces të pilotohet në QV të tilla që të kompletojnë bashki (jo pjesë bashkie).  Nisur nga fakti që numri i paisjeve është i kufizuar (jo më shumë se 100), është menduar të zgjidhen dy bashki dhe konkretisht bashkia Pukë me 25 QV dhe Sarandë më 50 QV. Këto dy bashki, një në veri e një në jug të vendit, për të patur si zonë rurale e malore (Puka) dhe zonë urbane e bregdetare (Saranda), do të shërbejnë për të parë funksionimin e shërbimit të internetit në zona të tilla. Gjithashtu, për të vëzhguar direkt nga KQZ funksionimin teknik të procesit, mendohet të përzgjidhen 10 QV në qytetin e Tiranës.
Informacioni që do të jepet nëpërmjet këtyre paisjeve është ai i përcaktuar në Vendim nr.13 të KQZ-së, statusi i QV-ve (hapja, bllokimi i votimit në se ka, rihapja, pjesëmarrja në votim dhe mbyllja e procesit të votimit). Mendohet të shtohet dhe informacioni për marrjen e bazës materiale zgjedhore dhe dorëzimi i saj pas mbylljes së votimit në KZAZ.
Në Vendimin e përmendur të KQZ-së, është përcaktuar që informacioni për pjesëmarrjen në votim, të jepët çdo tre orë, duke filluar pas orës 07-00 të hapjes së votimit. Gjithashtu, synohet  që nga QV-të ku do të pilotohet projekti, informacioni për pjesëmarrjen, të jepet çdo një orë, duke filluar pas orës 07-00 të hapjes së votimit.
Për realizimin e projektit pilot, do të trajnohen sekretarët e KQV-ve, ku do të pilotohet projekti. Mendohet që trajnimi të bëhet në qendër të bashkive përkatëse, në qytetin e Pukës dhe atë të Sarandës dhe në KQZ për sekretarët e KQV-ve të Tiranës. Pjesmarësve në trajnim do t’u jepet dhe manuali përkatës i përdorimit të aplikacionit të instaluar në paisjen elektronike.
Sa më sipër, Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi i ka bërë apel i partive politike që mos t’i ndërrojnë sekretarët e këtyre ZAZ-ve, në mënyrë që trajnimi të rezultojë efektiv dhe projekti të realizohet nga komisionerët e trajnuar për këtë qëllim.