Me ftesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës, Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi dhe anëtarët znj. Vera Shtjefni, Z. Klement Zguri dhe z. Hysen Osmanaj vëzhguan zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të datës 8 qershor, zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Delegacioni shqiptar u prit në një takim nga Kryetarja znj. Valdete Daka dhe Anëtarët e KQZ-së, të cilët edhe pse në një ditë të ngarkuar si ajo e ditës së votimit, nuk hezituan të njihnin Komisionerët me përgatitjen e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së së Kosovës, znj. Daka, duke uruar mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryetares dhe anëtarëve të KQZ-së të Shqipërisë, dhe shprehu besimin se vëzhgimi nga afër i ditës së votimit, do të krijojë për delegacionin shqiptar një tabllo shumë të qartë të procesit zgjedhor në Kosovë. Kryetarja e KQZ-së së Kosovës theksoi se “KQZ e Kosovës, duke vlerësuar mendimin dhe ekspertizën e homologëve shqiptarë, jep akreditimin si vëzhgues për delegacionin shqiptar për të gjithë qendrat e votimit në të gjithë territorin”. Kryetarja Luzi, në emër të delegacionit shqiptar, falenderoi për ftesën dhe mundësinë e dhënë për vëzhgimin nga afër të qendrave të votimit, dhe shprehu bindjen se shkëmbimi i eksperiencave pas këtij momenti, do t’i shërbejë organeve të administrimit të zgjedhjeve të dy vendeve. Delegacioni shiptar vëzhgoi nga afër zhvillimin e procesit të votimit në një numër të madh qendrash votimi, ku një interes i veçantë u tregua për organizimin dhe funksionimin e Qendrave të votimit dhe vendeve të votimit. Kryetarja dhe Anetarët e KQZ-së asistuan në një nga konferencat për mediat të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, ku të pranishëm ishin Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë, z. Nikola Rilkoski, Kryetar i KSHZ-së, z. Subhi Jakupi, Nënkryetar. Interesimit të mediave lidhur më vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi u shpreh se sistemi zgjedhor në Kosovë ka specifikat e tij, por administrimi i tij nga KQZ duke ndarë kompetencat me organin e prokurorisë dhe policisë në rastet e shkeljes së ligjit nga të gjithë aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor është një element i rëndësishëm që ndikon pozitivisht në punën e KQZ-së në administrimin e procesit. Zonja Luzi tha se proceset si votimi me kusht apo votimi me postë, të cilat aktualisht nuk praktikohen në vendin tonë, shërbejnë për zgjerimin njohurive dhe eksperiencave të cilat mund ti shërbejnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Administratës zgjedhore në të ardhmen.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE