Komisoni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 11 shtatorit, bën me dije se fletët e votimit të cilat do të përdoren për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Dibër, kanë mbërritur në datën 06.09.2016
Brenda afateve kohore të përcaktuara nga KQZ, fletët e votimit u prodhuan nga kompania sllovene “Cetis”, duke ruajtur të gjithë elementët e sigurisë dhe janë depozituar në Magazinat e Lundrës sipas të gjitha procedurave ligjore.
Aktualisht, Administrata e KQZ-së po punon intensivisht dhe është në fazën e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore: kutitë me mjetet kancelarike, kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor.
Sot përmbyllet përgatitja e bazës materiale zgjedhore, dhe ditën e enjte në mëngjes, dt. 8 shtator, do të vijohet me dërgimin e tyre në KZAZ-në 19, Dibër, e cila më pas në do ta shpërndajë çdo Qendër Votimi.
Ndërkohë sot, kanë nisur sesionet e trajnimit për Komisionerët e Qendrave të Votimit në bashkinë e Peshkopisë.
Sipas informacioneve të sjella nga Administrata e KQZ-së e cila ndodhet në Dibër dhe do të trajnojë komisionerët, rezulton se në katër vende trajnimi, Shkolla “Nazmi Rushiti”, në Peshkopi, Shkolla 9-vjeçare në Maqellarë, Shkolla 9-vjeçare në Qendër Tomin, Shkolla 9-vejçare në Sohodoll, nuk është paraqitur asnjë komisioner i Qendrave të Votimit për t’u trajnuar.
KQZ ripërsërit apelin ndaj partive politike që të marrin masa dhe të dërgojnë komisionerët e propozuar prej tyre, në sesionet e trajnimit, pasi trajnimi i tyre është shumë i rëndësishëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor.