I nderuar zoti Kryetar i Komisionit të Ligjeve,

Të nderuar deputetë anëtarë të këtij komisioni,

Më lejoni të falenderoj Komisionin, në emër të KQZ-së, për këtë seancë dëgjimore me rastin e prezantimit të raportit vjetor të KQZ-së.
Raporti, sikurse është miratuar nga KQZ-ja, i është vënë në dispozicion këtij komisioni të nderuar menjëherë pas miratimit. Stafi i KQZ-së ka përgatitur edhe një përmbledhje të shkurtuar të tij me informacionet dhe statistikat kryesore, e cila gjithashtu është në dispozicionin tuaj, prandaj unë do ju kërkoj leje që në fjalën time të ndalem kryesisht në raportimin tonë lidhur me zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të vitit të kaluar për veprimtarinë e KQZ-së.
Zbatimi i ligjit është detyrimi ynë permanent, por Rezoluta e Kuvendit është udhërrëfyesi ynë programatik. Nëpërmjet saj ne rrisim kualitetin e punës dhe të performancës, prandaj mendoj se ka shumë rëndësi që KQZ-ja të japë llogari përpara jush pikësëpari për zbatimin e rezolutës suaj.
1. Gjatë vitit 2017, trupa e KQZ dhe të gjithë strukturat e administratës së saj dëshmuan angazhim maksimal dhe profesionalizëm në organizmin e një procesi zgjedhor me standarde të larta, pavarësisht sfidave institucionale dhe ligjore që solli konteksti politik i kohës. Unë kam kënaqësinë të raportoj, se rekomandimi nr.1 i Kuvendit për angazhim dhe përkushtim në menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare, u implementua nga KQZ-ja me rezultate të dukshme dhe me arritje evidente. Më lejoni të citoj shkurtimisht Raportin vëzhgues të OSBE/ODHIR-it ku theksohet: “Pas marrëveshjes, KQZ-ja dhe administrata e saj u përballën me një sërë sfidash komplekse ligjore, institucionale dhe financiare, dhe iu desh të punonin nën kufizime të konsiderueshme kohore. Nevoja për të rimiratuar vendimet e marra para ndryshimit të datës së zgjedhjeve dhe për të miratuar rregulla të reja e rëndoi edhe më tej KQZ-në dhe administratën e saj. Pavarësisht këtyre sfidave, KQZ-ja i zbatoi detyrat kryesore të e saj.”
Si çështjet më sfiduese do të veçoja:
– Monitorimin, auditimin dhe kontrollin e financave të partive politike në zgjedhje, kompetencë e zbatuar për herë të parë në këto zgjedhje, e cila buroi nga ndryshimet e ligjit për partitë politike, me ligjin nr.90/2017, datë 22.05.2017.
– Zbatimi për herë të parë në zgjedhjet për Kuvendin 2017 i Ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
– Konstituimin dhe funksionimin e KZAZ-ve duke plotësuar me emërime kryesisht vakancat e krijuara nga mos paraqitja e propozimeve nga partitë politike që e kishin këtë të drejtë;
– Rritjen e transparencës, përmes përdorimit të teknologjive, sidomos për dokumentacionin e kandidimit, informacionin zgjedhor, dhe raportimin e praktikave joligjore;
– Numërimin dhe nxjerrjen në kohë rekord të rezultatit zgjedhor;
– Trajtimin profesional të ankimimeve zgjedhore.
2. KQZ dëshmoi angazhim maksimal për zbatimin e ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, veçanërisht për verifikimin e kandidatëve për deputetë, që sikundër Rezoluta e Kuvendit thekson është “një proces shumë i rëndësishëm në themel të cilësisë së Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2017”.
KQZ brenda afatit 5 ditor të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për verifikimin e rregullsisë së dokumentacionit të kandidimit, kërkoi informacion për 2 723 kandidatët për deputet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, dhe përgjigjet e administruara i verifikoi me të dhënat e vetëdeklaruara në formularë. 57 kandidatë rezultuan të ishin në kushtet e ndalimit të ligjit, dhe partitë politike i zëvendësuan ata.
3. Volumi i madh i informacionit gjatë procesit zgjedhor administrohet përmes Sistemit të Integruar të Manaxhimit Elektronik të Informacionit Zgjedhor (IEMIS), të cilin KQZ ka filluar ta ndërtojë që prej vitit 2013 me ndihmën e donatorëve, kryesisht USAID.
Në zbatim edhe të rekomandimit të Rezolutës së Kuvendit u zhvilluan dhe u vunë në përdorim pothuaj të gjitha modulet kryesore për zgjedhjet për Kuvend. Aktualisht po punohet për mirëmbajtjen e tyre, për zhvillimin dhe përshtatjen e tyre për zgjedhjet vendore, pasi administrimi dhe përpunimi i informacionit për to është proces më kompleks se për zgjedhjet e Kuvendin.
4. KQZ përmbushi me proaktivitet rolin që Kodi Zgjedhor i ngarkon në hartimin e listës së zgjedhësve, duke mbikëqyrur drejtpërdrejt përmes adutitëve teknicienë veprimet në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Raportet periodike mujore të auditëve teknicien u diskutuan në mbledhjet e KQZ-së me pjesmarrjen e përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore. Problemet e konstatuara gjatë diskutimit të raporteve të auditëve teknicien u adresuan për zgjidhje në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe kur ishte e nevojshme edhe në njësitë përkatëse vendore apo Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
U evidentuan këto probleme:
– Ekzistenca e zgjedhësve të dyshuar si të dubluar. Në raportin e parë të auditëve teknicien shifra për zgjedhësit e dyshuar të dubluar ishte 854 ose 0.02% e zgjedhësve në listë, në listën përfundimtare ky numër u reduktua në 459 ose 0,01% e tyre. Procesi i pastrimit të listave të zgjedhësve nga rekordet e shumfishta (të dubluara) realizohet në vijimësi edhe në periudhë jo zgjedhore nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe zyrat e gjendjes civile dhe ky numër vazhdimisht vjen në zvogëlim.
– Ekzistenca e zgjedhësve pa kod vendbanimi, i cili shërben për përcaktimin e qendrës së votimit për çdo zgjedhës. Kryesisht, zgjedhësit pa kod 4 vendbanimi janë ata që kanë emigruar jashtë shtetit. Megjithë përpjekjet e bëra nga njësitë e qeverisjes vendore, numri i zgjedhësve pa kod vendbanimi është ende i lartë. Në raportimin e ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhor me mungesë të këtij kodi ishin 301.713 zgjedhës, ndërsa në listën përfundimtare të zgjedhësve pa këtë kod ishin 290.038 zgjedhës ose 8,40% e gjithë zgjedhësve.
– Mospërfshirja e një numri të konsiderueshëm zgjedhësish në listën e zgjedhësve të institucioneve të vuajtjes së dënimeve. KQZ bashkëpunoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe vetëm një numër i vogël zgjedhësish në këto institucione iu desh të votonin me vendim gjykate, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2015, ku për zgjedhësit me vendim gjykate, me vendim të KQZ-së u ngritën dy qendra votimi të posaçme, një ditë para ditës së zgjedhjeve.
Për shmangien e këtyre problemeve, të trajtuara më gjerësisht në Raport dhe që dalin jashtë kompetencave të KQZ-së, KQZ sugjeron:
– Zyrat e gjendjes civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të punojnë me përqendrim në periudhë jozgjedhore për të “pastruar” rekordet e dyshuara si të dubluara;
– Njësitë e qeverisjes vendore të plotësojnë në periudhë jozgjedhore kodin e banimit për zgjedhësit që u mungon ky kod;
– Për të lehtësuar punën e zyrave të gjendjes civile, mund të merret në konsideratë mundësia e modifikimit, sipas kërkesave logjike të auditëve teknicien, të sistemit teknologjik qendror të administrimit të listës së zgjedhësve.
5. KQZ, është përpjekur për të përmbushur kërkesën e Kuvendit “Për fillimin e një vlerësimi të plotë nga KQZ për votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në emigracion, hapat që duhen ndërmarrë dhe metodologjitë që duhen zbatuar për garantimin e së drejtës së tyre për të votuar”.
KQZ, në respektim të detyrave të lëna nga Kuvendi në rezolutën, “Për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ për vitin 2015”, ka nisur punën qysh në vitin 2016 për të njohur faktorin politik dhe publikun, me studime dhe programe informuese mbi përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, si edhe efektet financiare.
Duke vlerësuar rëndësinë e praktikave më të mira të vendeve të tjera, kapacitetet e kufizuara institucionale dhe mungesën e fondeve, u kërkua asistencë teknike nga A-WEB (Shoqata Botërore e Organeve Zgjedhore), ku aderojnë 106 trupa zgjedhore, përfshirë edhe KQZ e Shqipërisë.
Me iniciativë të KQZ-së, u nënshkrua memorandum mirëkuptimi me këtë organizatë, dhe ekspertë të kësaj organizate zhvilluan një vizitë studimore në Shqipëri në janar 2017 më qellim dhënien e asitencës teknike, si dhe prezantuan eksperienca të zbatimit të Teknologjisë së Informacionit në sistemin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe votimit elektronik. Nga ana e ekspertëve është dërguar në KQZ studimi për fizibilitetin e zbatimit të teknologjisë së informacionit në zgjedhje dhe kostot përkatëse financiare.
Zhvillimi i këtij projekti studimor për fizibilitetin e zbatimit të teknologjisë së informacionit në zgjedhje dhe ngritjen e kapaciteteve menaxhuese zgjedhore, vjen në përmbushje të detyrave të lëna nga Kuvendi i Shipërisë në dy rezolutat e sipërcituara.
Gjithashtu, KQZ ka qënë pjesë e diskutimeve të tryezës “Votimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, dhe është i gatshëm për të ofruar ekspertizë për këtë çështje.
Të nderuar deputetë,
Unë kërkoj leje ta shfrytëzoj këtë seancë raportimi për dy çështje prioritare që, me siguri, do jenë çështje qendrore për KQZ-në në vitet në vazhdim, por që nuk mund të zgjidhen me sukses nga ne, pa vëmendjen dhe angazhimin tuaj sovran:
Në zbatim të rekomandimeve të raportit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it KQZ-ja ka nisur punën për riaktivizimin e projektit për ngritjen e Qendrës së Trajnimeve, e cila do të ofrojë trajnime të rregullta dhe do certifikojë anëtarët  potencialë të KZAZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, për të krijuar rradhën e administratorëve të certifikuar zgjedhorë (rekomandimi 9).
Qendra e Trajnimeve do ketë në kurrikulën e vet, ndër të tjera, cikle të posaçme trajnimi për voutesit rom, egjiptianë, si dhe për përfaqësuesit e pakicave kombëtare (rekomandimi 18).
Gjithashtu, KQZ po bashkëpunon intensivisht me donatorët dhe ekspertë të fushës për të identifikuar skemat dhe metodologjitë e shëndetshme të raportimit financiar dhe për ofruar akses të plotë në informacionin për financat e fushatës, përpara dhe pas datës së zgjedhjeve (rekomandimi 16).
Këto objektiva kërkojnë mbështetje nga Kuvendi në procesin ligjbërës dhe nga Ekzekutivi në procesin e buxhetimit. Në vlerësimin tonë, të dyja këto mbështetje janë jetike për zbatimin me sukses të rekomandimeve.
Më lejoni ta mbyll këtë prezantim, me vlerësimin dhe besimin për procesin e ri të reformës së kuadrit ligjor zgjedhor. Një pjesë e anëtarëve të nderuar të këtij Komisioni janë personalisht të përfshirë në këtë proces. Në emër të KQZ-së dua t’ju shpreh gadishmërinë për të ofruar ekspertizë, në formë edhe më të zgjeruar, nëse do të çmohet nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Ju faleminderit!