KQZ me” fytyrë” të re

Duke nisur nga dita e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shfaqet para publikut me një “fytyrë” të re, interaktive.

Pas përpjekjeve disa mujore për tu shfaqur ndryshe para publikut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar faqen e re zyrtare te internetit.

Faqja e internetit e KQZ-së tashmë do të ketë më shumë risi teknologjike, më shumë rubrika dhe informacione për lexuesit e saj si dhe një pamje vizuale të re.

Ajo do të përmbajë rubrika të shumta me informacion për vendimet, udhëzimet, mbledhjet, aktivitetet, trajnimet dhe rezultatet e zgjedhjeve ndër vite, lehtësisht të aksesueshme për lexuesit.

Të gjithë përdoruesit do të kenë mundësi të informohen për të gjithë veprimtarinë e KQZ-së përmes rubrikave të ndara sipas viteve dhe tematikës.

Një tjetër risi e kësaj faqeje është futja si portal brenda saj e programit kompjuterik për Sistemin e Manaxhimit të të Mësuarit (Learning Management System). E-learning do të shërbejë për mësimin në distancë kryesisht të anëtarëve të komisioneve zgjedhore (ZAZ-ve, të QV-ve, të GN-ve) të shpërndarë në të gjithë vendin.

Një vemendje e veçantë përmes rubrikave të specifikuara i’u është kushtuar edhe zgjedhësve me aftësi të kufizuara e barazisë gjinore. Kjo faqe do të ofrojë statistika për proceset zgjedhore (dhe publikime të ndryshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes faqes së re zyrtare të internetit synon të rrisë transparencën e aktivitetit dhe punës së KQZ-së, të rrisë ndërveprimin mes publikut dhe KQZ-së, duke shtuar informacionin e publikuar, lehtësuar aksesueshmërinë e publikut, si dhe duke rritur sigurinë e faqes e cila në periudhë zgjedhore rëndohet nga klikimet e shumta nga e gjithë bota.