Komisioni Rregullator  shqyrtoi projektvendimin, “Për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në vendet e numërimit të votave në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 Prill 2021”.

Projektvendimi u relatua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, i cili theksoi se për të monitoruar procesin e numërimit të votave në çdo VNV, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të realizojë edhe një sistem paralel monitorimi, i cili do të kryhet nga ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i parë prej aty në monitorë, në kohë reale, këto VNV.

Kamerat regjistruese me rezolucion të lartë dhe të monitorë (ekrane) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre në vendin e numërimit të votave, (VNV), instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ruhet në medie elektronike dhe dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve së bashku me materialet e tjera zgjedhore.

Komisioni Rregullator në unanimitet vendosi përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve), për regjistrimin dhe shfaqjen e fletëve të votimit, në VNV, si edhe përdorimin e sistemit të monitorimit të numërimit të votave në VNV nga ambientet e KQZ-së, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.