Luzi me studentët e UET, “Vota juaj është vullneti juaj”

Sot, Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Universitetin Europian të Tiranës, UET, në të cilin do të zhvillohen zgjedhje për Këshillin Studentor të UET.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Prof. Dr. Adrian Civici, (President i UET), i cili falenderoi KQZ-në për bashkëpunimin me universitetin dhe studentët të cilët po zhvillonin një garë demokratikë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, (Rektor i UET), i cili vlerësoi se kultura zgjedhore duhet të kultivohet që nga bankat e shkollës, pasi vetëm në këtë mënyrë do të kemi procese zgjedhore demokratike.

Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi foli përpara studentëve mbi rëndësinë e votës dhe rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve demokratike.

Zonja Luzi tha se; “ Është shumë e rëndësishmë që ju të vendosni vetë për përfaqësuesit tuaj, të kontrolloni zbatueshmërinë e platformave që ju keni zgjedhur, në mënyrë që ju t’u kërkoni llogari të zgjedhurve tuaj për qeverisjen e tyre”.

“Është shumë e rëndësishme që përmes votës tuaj të vendosni atë që e gjykoni si më e mira për ju, të kuptoni që vota juaj është vullneti juaj, dhe kjo ndodh jo vetëm në zgjedhjet studentore por edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vendit”, u shpreh Kryetarja e KQZ-së.

Zonja Luzi vlerësoi faktin që kandidatet femra për qeverinë studentore ishin të shumta në numër, dhe solli në vemendje se pas shumë përpjekjesh edhe nga ana e KQZ, u arrit që në zgjedhjet vendore 50% e kandidatëve në listat shumëemërore për këshillat bashkiakë, të ishin femra.

Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe Kryetarja e KQZ-së i’u përgjigj pyetjeve të studentëve dhe kandidatëve pë Qeverinë Studentore, lidhur me proceset zgjedhore në vendin tonë.

Duke shprehur kënaqësinë që bashkëpunimi i ngushtë i KQZ-së me universitetet ka dhënë fryte të shëndetshme edhe në zgjedhjet e 21 Qershorit 2015, ku projektet e edukimit zgjedhor u realizuan vullnetarisht nga studentët, Kryetarja Luzi i ftoi studentët të bëhen pjesë e projekteve të ardhshme të KQZ-së.