Tiranë, më 02.07.2013

Kryetarja e KQZ-së takon kryesuesen e Misionit të Vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it, Zj. McCormack
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi (Lleshi), priti në takim kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, Costance Berryman McCormack,një ditë para largimit të saj nga Shqipëria. Zonja McCormak shoqërohej nga Zëvendëskryetari i këtij Misioni, Harald Jepsen, dhe dy analistët zgjedhorë, Linda Mazure dhe Pavel Cabacenco.

Kryetarja e KQZ e njohu znj. McCormak me vendimmarrjen e Komisionit dhe hapat që do të ndërmarrë KQZ deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve që u zhvilluan më 23 Qershor.
Znj. Luzi (Lleshi) u shpreh se KQZ, realizoi me sukses zgjedhje të lira, transparente dhe të pakontestueshme. Kryetarja e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, e falenderoi znj. Luzi (Lleshi) për bashkëpunimin që KQZ ka patur me Misionin që ajo drejton. Znj. McCormak shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor, procesit të numërimit të votave dhe punën që KQZ ka bërë për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.Kryetarja e KQZ e falenderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj dhe të Misionit të OSBE/ODIHR-it, në vendin tonë.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE