Kryetarja e KQZ-së takon Delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi dhe Zëvëndëskryetari, z. Denar Biba kanë zhvilluar një takim me Delegacionin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Delegacioni kryesohej nga Nënkryetarja e Kongresit, zj. Gaye Doganoglu, (Turqi), e cila shoqërohej nga z. Linus Forster, (SOC,Gjermani), zj. Line Vennesland-Fraser, (ECR, Norvegji), z. Declan McDonnell, Irlandë, EA (Komiteti i BE-së i Rajoneve).

Delegacion i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, po zhvillon një vizitë para-zgjedhore në Shqipëri, nga datat 27 deri më 29 maj 2015, në kuadër të zgjedhjeve të vendore, të datës 21 Qershor.

Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi e ka njohur delegacionin me punën e bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në funksion të procesit zgjedhor të 21 Qershorit, punë e cila ka filluar shumë kohë më parë se të dekretohej data e zgjedhjeve.

Zj. Luzi gjithashtu bëri një panoramë të vendimmarrjes së KQZ-së dhe projektet e vëna në zbatim me qëllim përmirësimin dhe mirëadministrimin e rpocesit zgjedhor.

Shefja e Delegacionit para-zgjedhor, zj. Gaye DOGANOGLU shprehu falenderimet në emër të delegacionit, për të gjithë informacionin që zj. Luzi dhe z. Biba i dhanë gjatë këtij takimi.

Gjetjet e Delegacionit para-zgjedhor, do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e misionit kryesor të Kongresit, që do të zhvillohet nga datat 17-22 qershor.