Kryetarja e KQZ-së, leksion të hapur me studentët e UET.

Sot, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi ka zhvilluar një leksion të hapur me studentë të Universitetit Europian të Tiranës, në kuadër të strategjisë së edukimit zgjedhor, për zgjedhjet vendore të 21qershorit.
Kryetarja e KQZ znj. Lefterije Luzi u bëri thirrje të rinjve të marrin pjesë në votime, të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, por edhe përgjgjësinë qytetare, “Votoni, jeni ju ata që vendosni”.

Kryetarja e KQZ-së i’u tha studentëve, se kontributi më i madh që ata mund të bëjnë për të ardhmen e vendit, është zgjedhja përmes votës, e alternativës që ata e gjykojnë si më të mirën për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.

“Të votosh është mundësia juaj për t’u dëgjuar, për të zgjedhur zyrtarë të përgjegjeshëm për vendimet e tyre dhe të keni mundësinë e dëgjimit të fjalës suaj në çeshtje të rëndësishme që ndikojnë në komunitetin tuaj”- tha zj. Luzi.
Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe Kryetarja e KQZ-së ju përgjigj pyetjeve të studentëve në lidhje me zgjedhjet, Kodin Zgjedhor, procesin e votimit, procesin e numërimit, e të tjerë.
Takimet me të rinjtë, studentë dhe votues për herë të parë, kanë si qëllim edukimin e zgjedhësve të rinj, mbi rëndësinë e votës dhe proceseve zgjedhore, si çelësi i zhvillimit të demokracisë në vend.