KQZ nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komitetin për Pakicat Kombëtare.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komitetin për Pakicat Kombëtare. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri dhe Kryetarja e Komitetit, znj. Kostandina Bezhani dhe ka si qëllim bashkërendimin e punës për informimin e pakicave kombëtare për zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019.

Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri u shpreh se në zbatim të ligjit nr.96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare  në Republikën e Shqipërisë”, që përcanton dëtyrimin e KQZ-së për informimin e pakicave kombëtare (greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare), por edhe në respektim të të drejtave kushtetuese që zgjedhësit e pakicave gëzojnë, KQZ ka punuar dhe do të vijojë të punojë me përkushtrim që zgjedhësit e këtyre komuniteteve të informohen dhe edukohen mbi procesin zgjedhor.

Nga ana e saj, Kryetarja e KPK-së, znj. Bezhani deklaroi se Komiteti për Pakicat Kombëtare merr përsipër të vendosë në dispozicion të KQZ çdo informacion apo të dhënë që disponon,  për njësitë e qeverisjes vendore ku personat që u përkasin pakicave kombëtare, përbëjnë mbi 20 përqind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, si dhe realizimin e përkthimeve në gjuhët e secilës pakicë kombëtare të materialeve informuese, edukuese dhe ndërgjëgjësuese që KQZ do të realizojë për zgjedhjet e datës 30.06.2019.

Objekt i marrëveshjes së nënshkruar është; Komunikimi dhe shkëmbimi i të dhënave për njësitë e vetqeverisjes vendore ku pakicat kombëtare përbëjnë mbi 20 përqind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, Informimi  i pakicave kombëtare për zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, përmes materialeve informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese që do të prodhojë KQZ edhe në gjuhët e pakicave kombëtare.

KQZ dhe KPK do të të bashkëpunojnë dhe koordinojnë aktivitete të përbashkëta informuese në njësitë e qeverisjes vendore ku janë të përqëndruar zgjedhësit që u përkasin pakicave kombëtare.