Fjala e Kryetares së KQZ, zj. Lefterije Luzi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Financimi i partive politike dhe kontrolli i tyre është një çështje relativisht e re në jetën politike dhe proceset zgjedhore në Shqipëri. Financimi është një çështje sensitive, e cila prek jo vetëm realitetin politik, por është i lidhur gjerë me realitetin ekonomik dhe atë shoqëror dhe sigurisht është reflektim i të gjitha politikave të një vendi.

KQZ vlerëson se për arritjen e suksesit të pritshëm në këtë proces të vështirë është i domosdoshëm faktori kohë për konsolidimin e praktikave ligjore, por dhe bashkëpunimi me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në këtë proces. Sigurisht, duke parë rëndësinë e madhe, efektin dhe impaktin që kjo temë ka në të gjithë shoqërinë shqiptare në përgjithësi, dhe në procesin zgjedhor në veçanti, KQZ nuk e ka lënë jashtë vëmendjes së saj financimin e partive politike.

Kështu, KQZ ka organizuar tryeza pune për të ndarë eksperiencat e deritanishme si dhe për të përfituar nga mendimet, propozimet dhe vërejtjet e partive politike, përfaqësuesve të medias, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë, pjesëmarrës në këto tryeza. Rezultatet e këtyre tryezave u konkretizuan me disa propozime për ndryshime të mundshme në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin “Për Partitë Politike”, i cili rregullon aspektin e financimit të partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë vitit kalendarik. Këto rekomandime KQZ i ka publikuar dhe në faqen zyrtare të internetit dhe i ka dërguar nV Kuvendin e Shqipërisë.

Me iniciativën e saj KQZ, në bashkëpunim me mbështetjen financiare të UNDP-së kanë përgatitur një modul kompjuterik për administrimin e informacionit për financimin dhe shpenzimet për fushatën zgjedhore të partive politike. Nëpërmjet këtij moduli synohet të grumbullohet gjithë informacioni ligjor që ka të bëjë me procesin e financimit dhe kontrollit të partive politike dhe më pas, të prodhohen raportet financiare sipas përcaktimeve ligjore.

Në këtë aspekt, si Kryetare e KQZ vlerësoj shumë çdo takim, tryezë apo konferencë të iniciuar nga shoqëria civile dhe nga çdo aktor tjetër, të cilët kontribuojnë në përmirësimin jo vetëm të praktikave zgjedhore, por dhe legjislacionit zgjedhor. Këto dhe të tjera duhet të ndikojnë në zgjerimin e kanaleve të komunikimit me përfaqësuesit e shoqërisë duke realizuar një bashkëpunim më të qartë mes KQZ-së dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet.

Partitë politike janë aktorët kryesorë të sistemit politik, janë elementë thelbësor i demokracisë. Ato konkurojnë në zgjedhje, hartojnë programe politike të cilat, gradualisht kthehen në politika shtetërore gjatë mandatit qeverisës. Për të realizuar detyrat dhe funksionet e tyre partitë politike kanë nevojë dhe për financimin e duhur. Financimi i tyre kërkon dhe kontrollin financiar për të rritur integritetin e partive politike, i cili është thelbësor për rritjen e besimit të qytetarëve në qeverisjen e vendit dhe parandalimin e korrupsionit në të gjitha hallkat e shtetit.

Përmenda më parë që realiteti shqiptar është i ri në këtë fushë dhe kjo për faktin se financimi i partive politike dhe kontrolli i tyre, prej vitit 2009 e në vazhdim është rregulluar nga një kornizë ligjore në përputhje me praktikat e vendeve me traditë, rekomandimeve dhe ekspertizës së organizatave ndërkombëtare të specializuar në këtë fushë.

Kodi Zgjedhor i miratuar me ligjin 10019, datë 28.12.2008, sanksionoi kontrollin e plotë financiar për subjektet zgjedhore dhe KQZ u përcaktua si institucioni përgjegjës për auditimin financiar dhe publikimin e tij. Sipas legjislacionit aktual në fuqi, KQZ kryen auditimin financiar nëpërmjet emërimit të ekspertëve kontabël nga struktura të specializuara.

Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e fondeve të përfituara nga çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në këtë regjistër shënohet lista e personave që dhurojnë të paktën 100,000 lekë për subjektin zgjedhor përkatës. Dhuruesi ka detyrimin ligjor të nënshkruajë një deklaratë, forma dhe përmbajtja e së cilës është miratuar me vendim të KQZ-së. Nëpërmjet kësaj deklarate, dhuruesi do të zotohet se nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, të cilat do të përbënin shkak për ndalimin e dhurimit të tij (neni 89, 90 i Kodit Zgjedhor).

Transparenca është themeli i suksesit të gjithë procesit të financimit dhe kontrollit financiar të partive politike.
Neni 9 i Kushtetutës përcakton se: “Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”. KQZ ka bërë të mundur zbatimin e këtij parimi kushtetues. KQZ publikon raportet financiare vjetore të partive politike, raportet e auditimit për financimin e fushatës së subjekteve zgjedhore dhe për vitin kalendarik, në faqen zyrtare të internetit të saj në një rubrikë të veçantë. Raportet e auditimit të fondeve të përfituara dhe shpenzimeve zgjedhore, botohen dhe në buletinin e zgjedhjeve. Regjistrat e financimeve jo publike të subjekteve zgjedhore dhe lista e personave që dhurojnë shuma mbi 100 mijë lekë janë pjesë e raportit të auditit. Lista e donatorëve, ashtu si dhe raportet e auditit, bëhet kurdoherë publike në të njëjtën formë. Shuma 1 milion lekë është shuma e përgjithshme që një person kontribuon për një subjekt zgjedhor gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

Në këtë mënyrë mundësia që një dhurues, i cili në total dhuron shumën mbi 100 mijë lekë ose kundërvleftën e tyre në sende, mund të mos bëhet publik duke u fshehur në copëtimin e dhurimit në vlerë më të vogël se 100 mijë lekë.

Dhurimi i shumave mbi 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Kjo llogari duhet të hapet jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore. Përgjegjësi i Financës deklaron këtë llogari pranë KQZ-së, e cila e publikon numrin e llogarisë në faqen zyrtare të internetit në një rubrikë të posaçme.

Lista e donatorëve bëhet publike, por Kodi Zgjedhor dhe Ligji “Për Partitë Politike” nuk parashikojnë asnjë kufizim për donatorët individualë, në mënyrë që këta donatorë, pas zgjedhjeve, të mos caktohen në funksione publike në administratën shtetërore apo në shoqëritë me kapital shtetëror.

Transparenca dhe mbikëqyrja e financimit të partive politike gjatë vitit kalendarik, bëhet sipas të njëjtave procedura si dhe financimi i partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Partitë politike kanë detyrimin të dorëzojnë në KQZ raporte financiare vjetore.

Raporti financiar vjetor i partisë duhet të plotësohet në përputhje me parimet e kontabilizimit të rregullt. Në bazë të fakteve dhe rrethanave dhe në pajtim me Ligjin “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, ai duhet të japë informacion për origjinën dhe përdorimin e fondeve, si dhe për aktivët dhe pasivët e partisë.

Në zbatim të kompetencave ligjore, KQZ ka nxjerrë brenda sferës së juridiksionit të saj dhe me bashkëpunimin e ekspertëve të projektit Anti-Korrupsion në Shqipëri të Këshillit të Evropës “PACA”, paketën e akteve nënligjore të cilat kanë mundësuar zbatimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit “Për Partitë Politike”, për financimin e partive politike.

KQZ me akte nënligjore ka miratuar dokumentacionin e nevojshëm, i cili ndihmon partitë politike në raportimin financiar, si dhe ka miratuar rregullat për formatet e standardizuara për raportimin nga ekspertët kontabël dhe partitë politike lidhur me raportet financiare vjetore. Duke zbatuar në këtë mënyrë dhe rekomandimet e GRUPIT TË SHTETEVE KUNDËR KORRUPSIONIT (GRECO).

Kodi Zgjedhor dhe Ligji “Për Partitë Politike” specifikojnë llojet e ndryshme të shkeljeve si dhe identifikojnë personin që do të mbajë përgjegjësi për shkeljen dhe llojin e dënimit që do të jepet për çdo shkelje. Legjislacioni parashikon sanksione administrative me gjobë, ndaj partisë politike, ndaj përgjegjësit të financës, ose personit i cili kryen operacionet financiare të partisë sipas statutit, dhuruesit të fondeve në rast kur shkeljet e konstatura nuk përbëjnë vepër penale. Sanksionet vendosen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur pas verifikimit të raporteve të ekspertëve kontabël, konstatohen shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

Ligji “Për Partitë Politike” ka rritur rolin e KQZ-së në hetimin dhe verifikimin e të dhënave dhe veprimtarive financiare të partive politike, por për të kryer këtë proces KQZ nuk ka kapacitete në burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme.

Fuqizimi i KQZ-së si autoriteti publik që ka detyrimin për administrimin e procesit të kontrollit të financimit të partive politike jashtë fushatës zgjedhore, është element thelbësor që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë hetime proaktive për të verifikuar llogaritë financiare të tyre. Deri tani KQZ bazohet vetëm në raportet e ekspertëve kontabël.

A është kjo e mjaftueshme???

Praktika e deritanishme tregon se KQZ nuk ka vendosur sanksione administrative ndaj subjekteve zgjedhore, pasi sipas raporteve të auditit të ekspertëve kontabël dhe verifikimit të kufizuar të KQZ-së, rezulton se partitë e audituara kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor. Financimi i partive politike është ndër të paktat aspekte zgjedhore të administruara nga KQZ, për të cilin të gjitha partitë politike duket sikur kanë bërë një pakt heshtjeje, pasi asnjërës nuk i intereson të ngrejë ankime- pretendime, apo të sjellë prova dhe fakte në lidhje me këtë proces në KQZ.

Për sa më lart, zbatimi në praktikë i legjislacionit në lidhje më financimin e partive politike dhe kontrollin e tyre, dikton nevojën e ndryshimeve ligjore.
Nga rezultatet e kontrolleve financiare të pasqyruara në raportet e ekspertëve kontabël për fushatën zgjedhore, rreth 42 % e partive të cilat nuk përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit, në përgjithësi, deklarojnë se nuk kanë përfituar fonde nga dhurimet dhe nuk kanë bërë shpenzime gjatë fushatës zgjedhore. Deri në vitin 2013, 10% e partive që merrnin pjesë në zgjedhje rezultonin me adresa të pasakta, në këtë mënyrë, ishte e pamundur t’i nënshtroheshin kontrollit financiar.
Për herë të parë me iniciativën e saj, në zgjedhjet e vitit 2015, KQZ për çdo parti e cila kërkonte të regjistrohej si subjekt zgjedhor, u kërkoi konfirmimin e adresës, dhe vetëm pas konfirmimit të adresës nga Posta Shqiptare, partia regjistrohej për të marrë pjesë në zgjedhje. Nga ky proces rezultoi se 50% e partive deri në atë moment deklaronin adresa të vjetra, të cilat figuronin dhe në regjistrin e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, por nuk ekzistojnë më.
Për sa i përket auditimit financiar vjetor, shifrat flasin për një situatë më shqetësuese. KQZ kryen auditimin financiar vjetor për 125 parti politike në të cilat rezultojnë të regjistruara në regjistrin e partive politike, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
– 52.8% e tyre marrin pjesë në zgjedhje dhe rreth 10% rezulton të kenë përfituar dhe shpenzuar fonde, gjatë vitit kalendarik.
– 55% e partive politike të regjistruara rezultojnë me adresa të pasakta, nuk gjenden për t’iu nënshtruar kontrollit financiar.
Ekpertët kontabël pasi shpenzojnë orë të tëra për të gjetur adresat deklarojnë se këto parti nuk gjenden ose heqin dorë nga detyra e ekspertit për shkak të vështirësisë dhe pamundësisë së gjetjes së subjektit.
Ato parti, të cilat auditohen rezultojnë se respektojnë dispozitat e Ligjit “Për Partitë Politike” në lidhje me financimin.
Regjistrimi i tyre në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kushtet që duhet të plotësojnë për të gëzuar këtë status juridik, duhet të rishikohet. Ridepozitimi në mënyrë periodike i dokumentacionit të nevojshëm, për t’u regjistruar si parti politike, do të orientonte në çregjistrimin e atyre subjekteve, të cilat e kanë humbur qëllimin për të cilin janë krijuar. Ligji duhet të ofrojë një mekanizëm dhe procedurë për t’u ndjekur (si njoftimet publike), si dhe sanksione proporcionale për raste të tilla.

Kontrolli financiar vjetor, ka nxjerrë probleme që kanë dalë gjatë zbatimit të tij në praktikë edhe për sa i përket marrëdhënies juridike të krijuar midis KQZ-së dhe ekspertëve kontabël.

Ndryshimet ligjore duhet të ofrojnë mekanizma te tille qe e bejne me terheqese pjesëmarrjen në auditimin e financimit të partive politike për ekspertët. Detyra e ekspertëve kontabël është shumë delikate dhe ligji i detyron ata që të konstatojnë dhe të firmosin raporte mbi rregullsitë apo parregullsitë financiare të subjekteve shumë të fuqishme (ekzekutive dhe legjislative).

KQZ ka akoma të pazgjidhur çështjen e pagesave të ekspertëve për kontrollin financiar vjetor. KQZ, akoma, nuk ka mundur të kryejë detyrimet kontraktuale ndaj ekspertëve kontabël, të cilët kanë audituar fondet vjetore të partive politike për vitin kalendarik. Çështja e pagave të papaguara duhet të zgjidhet përmes buxhetit të KQZ-së. KQZ-ja, si organi administrativ që u ngarkon detyra ekspertëve kontabël përmes shortit, është e detyruar të garantojë që ata do të paguhen për punën që vetë KQZ-ja u ngarkon. Në rastet kur, partitë politike nuk e përmbushin këtë detyrim për të bërë pagesat, atëherë KQZ-ja duhet të paguajë për shërbimet e ekspertëve kontabël dhe ta llogarisë shumën si një detyrim që partitë ia kanë asaj.

Gjatë një periudhe afërsisht 23-vjeçare, kuadri rregullator shqiptar për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, i është nënshtruar një transformimi tërësor. Nevojiten reforma të mëtejshme dhe kjo duhet realizuar përmes një konsensusi të gjerë politik ndërpartiak, bashkëpunimit të ngushtë me shoqërinë civile si dhe, me organizata të ndryshme të cilat duhet të kenë në vëmendje të veçantë gjatë monitorimit të fushatave zgjedhore, edhe financimin e partive politike.

Le të shërbejë kjo konferencë dhe rekomandimet që do të dalin prej saj si një udhërrëfyes i punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili sapo është ngritur pranë Kuvendit të Shqipërisë, për të reflektuar të gjitha ndryshimet e nevojshme zgjedhore, sigurisht duke marrë në konsideratë dhe rekomandimet e KQZ, të cilat tashmë gjenden pranë Kuvendit.

Ju faleminderit.