Komisoni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi trajnimin e radhës në qytetin e Tiranës

Sot Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar trajnimin e radhës në qytetin e Tiranës në ambjentet e qendrës ”TEN”.
Ftesës së KQZ-së për trajnimin mbi procesin zgjedhor i janë përgjigjur nënpunës të administratës publike, mësues, komisionerë të zgjedhjeve të kaluara dhe të rinj të cilët votojnë për herë të parë. Temat e trajtuara kishin të bënin me njohuri të përgjithshme për procesin zgjedhor, “Sistemi zgjedhor, administrata zgjedhore, institucionet e ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor, cikli zgjedhor, roli i medias”, njohuritë ligjore për të gjithë etapat dhe procedurat e procesit zgjedhor që i shërbejnë rritjes së standarteve të procesit zgjedhor dhe ngritja/funksionimi/detyrat e KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve.
Trajnimi u zhvillua në formë diskutimi me pyetje dhe përgjigje duke sjellë shembuj konkret për funksionimin e KZAZ-ve dhe KQV-ve në ditën e zgjedhjeve. Interesi i pjesëmarrësve mbi çeshtje dhe problematika konkrete të hasura në zgjedhjet e kaluara u trajtua nga Administrata e KQZ-së me shembuj konkret dhe me simulim të procedurave që duhen ndjekur gjatë ditës së zgjedhjeve.
Një sesion i veçantë trajnimi i’u kushtua votuesve për herë të parë, pjesëmarrja e të cilëve u mundësua në sajë të bashkëpunimit të KQZ-së me Drejtorinë Arsimore Rajonale, Tiranë. Gjatë këtij sesioni trajnimi, të rinjtë u informuan për të drejtën dhe detyrën e tyre kushtetuese për të votuar, si dhe u simulua procesi i votimit ku të rinjtë ishin jo vetëm votues por edhe komisionerë.

Pjesëmarrësit në trajnim vlerësuan pozitivisht punën që KQZ po bën për edukimin zgjedhor përmes trajnimeve mjaft aktive dhe frytdhënëse dhe shprehën dëshirën për t’u bërë pjesë e trajnimeve të KQZ-së edhe në të ardhmen.
Kalendari i trajnimeve që Komisionit Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon në kuadër të punës për përgatitjen e administrimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, ka filluar në qytetin e Lezhës, për të vijuar në qytetin e Fierit, ndalesa e radhës, ishte ditën e sotme në Tiranë. Ky sesion trajnimesh do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE